Mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tifozët e Teutës shpalosin flamurin e UÇK-së (VIDEO)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tifozët e skuadrës së Teutës, të njohur si “Djemtë e Detit”, kanë ndërmarrë një gjest domethënës në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë ndeshjes, tifozeria bregdetare ka shpalosur në tribunë një flamur me simbolet e UÇK-së, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe mirënjohjeje për luftën çlirimtare dhe figurat drejtuese të saj.

Ky veprim i tifozëve durrsakë erdhi teksa këtë të shtunë në Prishtinë u mbajt “Marshi për Liri”. Mijëra njerëz u mblodhën në shesh duke treguar mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.

The post Mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tifozët e Teutës shpalosin flamurin e UÇK-së (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: