Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ftuar në “Inside Albania” në Euronews Albania, ka folur për marrëdhënien e saj me Presidentin amerikan Donald Trump dhe administratën e tij, duke e cilësuar atë si një marrëdhënie të sinqertë, por njëkohësisht edhe në shërbim të interesave strategjike të Kosovës.
E pyetur nëse afrimiteti me Trump ishte një miqësi e vërtetë apo pjesë e një strategjie për të ruajtur Shtetet e Bashkuara si aleatin kryesor të Kosovës, Osmani tha se të dyja qëndrojnë.
“Shikoni, ishin të dyja, sepse njëra nuk e përjashton domosdoshmërisht tjetrën. Mund të kesh një marrëdhënie të vërtetë me liderët botërorë dhe në të njëjtën kohë, kjo t’u shërbejë interesave strategjike të vendit tënd. Pra po, ishte sigurisht një marrëdhënie shumë e sinqertë, do të thoja, jo vetëm me Presidentin Trump, por edhe me shumë prej anëtarëve të ekipit të tij të ngushtë”, tha Osmani.
Ajo vlerësoi gjithashtu marrëdhënien me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar qëndrimin e tij ndaj Kosovës dhe luftërave në ish-Jugosllavi.
“Sekretari Rubio ka mbajtur një qëndrim kaq të qartë moral dhe të drejtë ndaj Kosovës dhe ndaj luftërave të ish-Jugosllavisë që nga koha kur ishte senator. Ne kishim një marrëdhënie shumë të mirë me të shumë kohë përpara se të bëhej Sekretar i Shtetit dhe më pas përmes tij edhe me Presidentin Trump dhe shumë nga ekipi dhe këshilltarët e tij. Pra, ishte absolutisht i sinqertë, por në të njëjtën kohë, absolutisht edhe i shërbeu interesit strategjik të Kosovës”, u shpreh ajo.
Sipas Osmanit, historia ka treguar se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara ka qenë vendimtar për sukseset e Kosovës.
“Çdo herë që Kosova ka punuar shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara, kemi pasur sukses të qartë, qoftë ai çlirimi, pavarësia, fitorja e çështjes sonë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sjellja e donatorëve për të rindërtuar Kosovën, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Çdo sukses i Kosovës, ndërtimi i forcës sonë policore, ndërtimi i ushtrisë sonë, ndërtimi i sistemit tonë gjyqësor, çdo institucion në Kosovë, çdo sukses ndërkombëtar ka gjurmën e Shteteve të Bashkuara kudo”, tha Osmani.
Ish-presidentja tha se gjatë mandatit të saj u ndërtua një marrëdhënie besimi me administratën Trump, e cila, sipas saj, krijoi një mundësi që Kosova nuk e kishte pasur që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
“Ndërtuam një marrëdhënie besimi, e cila na hapi një dritare mundësie që nuk e kishim pasur që nga viti 2008, kur shpallëm pavarësinë. Shumë njerëz menduan se ishte një marrëdhënie transaksionale, por anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk ishte transaksional.”
Osmani theksoi se në komunikimet e saj me nivelet më të larta të administratës amerikane, Kosovës nuk iu kërkua të bënte lëshime ndaj Serbisë.
“Kur flisja me nivelet më të larta në Shtetet e Bashkuara ata nuk na kërkuan kurrë të bënim ndonjë lëshim ndaj Serbisë. Pra, ata e ndanë plotësisht marrëdhënien Kosovë-SHBA nga marrëdhënia Kosovë-Serbi. Ne nuk e kishim pasur këtë që nga shpallja e pavarësisë dhe kjo ishte pikërisht ajo që Kosovës i duhej.”
E pyetur nëse marrëdhënia me Trump kishte sjellë edhe pasoja negative politike për Kosovën, Osmani e mohoi këtë.
“Jo, për Kosovën jo deri tani”, tha ajo.
Duke iu referuar takimeve të saj me nivelet më të larta politike në SHBA, Osmani shtoi:
“Por në takimet e mia politike me nivelet më të larta në Shtetet e Bashkuara, m’u tha shumë qartë: le të ecim përpara në marrëdhënien tonë.”
The post Osmani për marrëdhënien me Trump: Ishte e sinqertë dhe i shërbeu interesit strategjik të Kosovës appeared first on Euronews Albania.
