“Requiem for the Living”, koncert në kujtim të  viktimave të 11 Shtatorit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tingujt e muzikës u shndërruan në një homazh për viktimat e 11 Shtatorit, në një mbrëmje të veçantë kushtuar kujtesës, jetës dhe paqes.

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u ngjit koncerti vokal-simfonik “Requiem for the Living”, 25 vite pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Për artistët, kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë, pasi lidhet me një histori që nis pikërisht në ditën e tragjedisë.

 “Është një fabul prekëse dhe historike. Në datën 11 shtator 2001, Bujar Llapaj më ftoi të bënim shfaqjen e parë për Kullat Binjake”, tha Edmond Tullumani.

I frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull e kompozitorit amerikan Dan Forrest, koncerti bashkoi muzikën simfonike dhe vokale në një performancë me ngarkesë të fortë emocionale dhe shpirtërore.

Në skenë u ngjit Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, së bashku me solistët shqiptarë Ramona Tullumani, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ekland Hasa, Flaka Goran dhe Diego Zelka, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cila, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha se në këtë përvjetor “kujtojmë heronjtë e Nju Jorkut dhe viktimat e 11 Shtatorit”, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në atë ditë të vështirë.

Përmes tingujve të veprës së Forrest, artistët sollën një homazh për mijëra njerëzit që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit, por edhe një reflektim mbi vlerën e jetës, kujtesës dhe paqes.

Një mbrëmje që tejkaloi kufijtë e muzikës dhe riktheu në vëmendje, 25 vite më vonë, një ngjarje që tronditi botën. Një homazh që dëshmon se kujtesa mbetet e gjallë dhe se paqja është një mesazh universal.

The post “Requiem for the Living”, koncert në kujtim të  viktimave të 11 Shtatorit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: