Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar këtë të shtunë duke falënderon organizatorët e “Marshit për liri” në Prishtinë. Qeveria gjithashtu shprehu mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi.
Qeveria vlerësoi në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit.
Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat. Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.
The post “Marshi për liri” në Prishtinë, qeveria e Kosovës: Paraqitje dinjitoze appeared first on Euronews Albania.
