Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka gjobitur me 110 mijë eurosh Kompaninë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), pas evidentimit të parregullsive në njehsorët elektrikë.
Sipas MINTI-t, pas ankesave të qytetarëve gjatë muajit maj dhe verifikimeve të kryera në terren, është konstatuar se 18 njehsorë kishin afat të skaduar të vlefshmërisë, dy prej tyre janë tërhequr nga përdorimi, ndërsa 30 të tjerë kanë rezultuar me pasaktësi në datë dhe orë.
“Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110.000 eurosh. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Ministria ka bërë të ditur se kontrollet dhe verifikimet e njehsorëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Lidhur me kompensimin e konsumatorëve, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka deklaruar se të gjithë qytetarët që vërtetohet se janë dëmtuar nga këto parregullsi do të kompensohen plotësisht.
Sipas ZRRE-së, qytetarët që kërkojnë kompensim duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINTI dhe më pas në KEDS. Në rast se nuk janë të kënaqur me përgjigjen e marrë, ata kanë të drejtë t’i drejtohen edhe ZRRE-së për shqyrtimin e rastit.
The post Kosovë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike gjobitet me 110 mijë euro appeared first on Euronews Albania.
