Antonio Costa nis vizitën në Kosovë, takon liderët politikë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, po qëndron në Kosovë për takime me krerët institucionalë dhe partiakë.

Costa e nis vizitën me takimin me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Më pas ai do të zhvillojë takim dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa po ashtu është paraparë që të zhvillojë takime me krerët e partive opozitare në Kosovë.

Vizita e zyrtarit evropian në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: zotimi i Bashkimit Evropian për rajonin është i vërtetë, sikurse është e vërtetë edhe mundësia për zgjerim. Momentumi ekziston. Tani është koha që të japim rezultate”, tha ai përmes një njoftimi para nisjes së vizitave në rajon.

Costa nisi turneun ballkanik në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe udhëheqësen e Këshillit të Ministrave.

Një ditë më vonë, ai qëndroi në Tiranë ku u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presdientin, Bajram Begaj. Më pas, në Shkup zhvilloi takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

Vizitat në rajon, Costa do t’i përmbyllë në Mal të Zi, ku përveç takimeve me zyrtarët malazezë, ai do të jetë bashkëudhëheqës i samitit BE-Ballkani Perëndimro në Tivat.

Tema e samitit të sivjetshëm, sipas BE-së, është “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

The post Antonio Costa nis vizitën në Kosovë, takon liderët politikë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: