Botërori FIFA 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet që do t’i japë shtysën më të madhe turizmit në Amerikën e Veriut. Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC), turneu do të rrisë ndjeshëm kontributin e turizmit në ekonomitë e Kanadasë, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, duke forcuar pozicionin e rajonit si një nga destinacionet kryesore turistike në botë.
Parashikimet tregojnë se Kanadaja do të përfitojë më shumë nga organizimi i Botërorit, me një rritje prej 6.4% të sektorit të turizmit. Meksika pritet të shënojë një rritje prej 2.4%, ndërsa SHBA-ja 2.1%.
Sipas WTTC-së, Botërori përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur zhvillimin afatgjatë të turizmit, përmes përmirësimit të lidhjeve ajrore, lehtësimit të lëvizjes së turistëve dhe forcimit të bashkëpunimit mes tre vendeve pritëse.
Megjithatë, organizata thekson se për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun global, nevojiten investime të vazhdueshme në transportin ajror, infrastrukturën turistike, teknologjinë digjitale dhe procedurat e hyrjes për vizitorët.
Ndërkohë, Meksika rezultoi vendi me performancën më të mirë turistike në rajon gjatë vitit 2025. Të dhënat tregojnë se vendi regjistroi rritje të vizitorëve të huaj dhe të shpenzimeve turistike, ndërsa SHBA-ja dhe Kanadaja shënuan rënie në disa prej treguesve kryesorë.
WTTC vlerëson se sektori i udhëtimeve dhe turizmit do të mbështesë rreth 30.9 milionë vende pune në Amerikën e Veriut gjatë vitit 2026. Në shkallë globale, turizmi pritet të kontribuojë me rreth 12 trilionë dollarë në ekonominë botërore dhe të mbështesë 376 milionë vende pune.
The post Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime appeared first on Euronews Albania.
