Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje lidhur me takimin.

Sipas njoftimit, Costa ka deklaruar se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon.

Kurti ndër të tjera e falënderoi atë për kontributin e Bashkimit Europian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës. Sipas tij këtë mbështetje Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.

“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat. Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

The post Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: