Albin Kurti shpall fitoren: Kjo është dekada e qeverisjes së Vetëvendosjes!

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke e cilësuar rezultatin si konfirmim se “dekada i përket qeverisjes së Vetëvendosjes”. Kurti deklaroi se kjo është fitorja e pestë zgjedhore e njëpasnjëshme e subjektit që drejton.

Ndërkohë, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nga festa e organizuar pas zgjedhjeve, uroi mbështetësit për formimin e qeverisë së re, të cilën e quajti “Kurti 4”.

Sipas rezultateve paraprake nga numërimi i mbi 99 për qind të votave, Vetëvendosje mbetet forca e parë politike në vend me rreth 43 për qind të votave. Megjithatë, partia ka shënuar një rënie prej rreth 8 pikësh përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa ende nuk janë numëruar votat e diasporës.

Me rezultatin aktual, Vetëvendosje siguron 48 vende në Kuvendin e Kosovës. Konjufca e cilësoi rezultatin si një “fitore madhështore”, ndërsa kryetarja e partisë Guxo, aleate në koalicion me Vetëvendosjen, e përshkroi atë si “fitoren më të rëndësishme deri më tani”.

Me gati të gjitha votat e numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përjashtuar votat me kusht dhe ato të diasporës – rezultatet janë:

Lëvizja Vetëvendosje: 42.92%

Partia Demokratike e Kosovës: 21.06%

Lidhja Demokratike e Kosovës: 17.61%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 7.17%

Lista Serbe: 6.17%

The post Albin Kurti shpall fitoren: Kjo është dekada e qeverisjes së Vetëvendosjes! appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: