Zgjedhjet nuk ishin të barabarta dhe se u përdor paraja publike, tha kryetari i PDK-së Bedri Hamza, në konferencën për media një ditë pas zgjedhjeve, duke i uruar të gjitha partitë për rezultatet.
Hamza tha që kanë pritur më shumë rezultat, shkruan KosovaPress.
“Unë i uroj të gjitha partitë politike që kanë qenë në garë për rezultatin. Ka qenë një proces në vazhdën e disa proceseve zgjedhore. Për Partinë Demokratike të Kosovës, rezultati është ky që është. Sigurisht se kemi pritur më shumë, kemi mundur më shumë. Nëse i referohemi vendeve në Kuvend unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak. Megjithatë, ne po presim përfundimin e procesit zgjedhor, numërimin e të gjitha votave dhe të shohim se ku po dalim si parti politike…
Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta dhe kanë qenë të pabarabarta. Kanë qenë të pabarabarta për shkak se është përdorur paraja publike, e cila sigurisht ka ndikuar edhe në rezultat”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së theksoi se pret themelim të shpejtë të institucioneve.
“Unë pres që të ketë një formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë të gjitha nivelet: edhe Kuvendin, edhe qeverinë, edhe presidentin dhe të kemi një përmbyllje të këtij cikli e t’i kthehemi punës. Përndryshe, 200 mijë vota më pak po e thjeshtësojnë këtë që na kanë thënë votuesit: “Na keni lodhë. Boll”, potencoi ai.
Hamza tha se në katër komunat e vendit kanë pasur humbjen më të madhe të votave.
“Nëse e shikojmë me kujdes rezultatin zgjedhor del që në katër komuna ka qenë humbja më e madhe. Edhe për më keq, në katër komuna Partia Demokratike e Kosovës qeveris në nivel lokal. Vota më së shumti kemi humbur si votë, jo si përqindje, kemi humbur në Skenderaj, në Drenas, në Prizren dhe në Ferizaj. Domethënë, këto janë katër komuna që është humbja më e madhe e votës për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne jemi duke i bërë të gjitha analizat e nevojshme. Unë e thashë, as fshihem mbrapa përgjegjësisë, as nuk nxitohemi në vendime, as nuk vonona në vendime. Ë do të kemi analizë të mirëfilltë dhe do t’i adresojmë saktë shkaktarët pse Partia Demokratike e Kosovës nuk ka arritur me mobilizuar elektoratin e vet”, vijoi ai.
The post Hamza: Pres formim të shpejtë të institucioneve, votuesit thanë, “na lodhët, boll”! appeared first on Euronews Albania.
