Numërohen 30% e votave për kandidatë, Albin Kurti kryeson me 60 mijë vota

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Edhe këtë të martë ka vijuar në qendrat komunale të numërimit procesi i numërimit të votave për kandidatët e zgjedhjeve të 7 qershorit, si dhe verifikimi i votave për subjektet politike.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mbetet kandidati më i votuar deri tani me mbi 60 mijë vota, bazuar në numërimin e rreth 30 për qind të kutive të votimit.

Në mesin e pesë kandidatëve më të votuar të Vetëvendosjes renditen Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, lideri Bedri Hamza ka siguruar deri tani rreth 30 mijë vota, ndërsa nënkryetarja Vlora Çitaku nuk renditet mes pesë kandidatëve më të votuar.

Në listën e LDK-së, Vjosa Osmani ka grumbulluar rreth 20 mijë vota, duke lënë pas kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, me rreth 2.500 vota diferencë.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini kryeson me rreth 10 mijë vota, i ndjekur nga vëllezërit Haradinaj. Daut Haradinaj ka paralajmëruar se do të heqë dorë nga mandati i deputetit.

Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë e vizitoi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili vlerësoi procesin zgjedhor dhe punën e KQZ-së.

“Mesazhi im për partitë politike është i njëjtë, sido qofshin rezultatet e sakta të këtij procesi, do të jetë e nevojshme të ketë bashkëpunim mes partive politike. Ky vend ka një kushtetutë të fortë, e cila i ka shërbyer shumë mirë gjatë 18 viteve të fundit, dhe ajo kërkon që politikanët të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Ata duhet të bëhen bashkë për të formuar një kuvend, një qeveri dhe për të zgjedhur një president. Kjo është ajo që shpresoj se do të ndodhë sapo rezultatet të bëhen të qarta”, tha Hargreaves.

KQZ-ja do të nisë verifikimin e mbi 100 mijë zarfeve me vota nga diaspora përpara numërimit të tyre. Rezultati i këtyre votave mund të përcaktojë nëse Vetëvendosje do të arrijë të formojë e vetme qeverinë e re.

The post Numërohen 30% e votave për kandidatë, Albin Kurti kryeson me 60 mijë vota appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: