Këtë fundjavë në Durrës do të zhvillohet edicioni ndërkombëtar i notit “Teuta Cup 2026”, në pishinën olimpike “Taq Dafa”. Turneu konsiderohet një nga aktivitetet më të rëndësishme të notit në vend dhe do të mbledhë sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Sllovenia dhe Italia.
Mbi 500 notarë do të garojnë gjatë dy ditëve të aktivitetit, duke e kthyer Durrësin në një pikë referimi për notin rajonal dhe më gjerë. Në këtë edicion pritet një konkurrencë e fortë, me pjesëmarrjen e disa prej notarëve më të mirë të rajonit.
Ky aktivitet synon të bashkojë talentin, pasionin dhe frymën sportive në një atmosferë festive dhe ndërkombëtare.
“Teuta Cup 2026” nis të shtunën, më 13 qershor, në orën 09:00 dhe vijon deri të dielën pasdite, kur do të shpallen edhe fituesit.
Në një postim në faqen zyrtare, Klubi Shumësportësh “Teuta” ka ftuar notarët e rinj të bëhen pjesë e këtij edicioni ndërkombëtar të notit.
The post Durrësi kryeqyteti i notit, 6 shtete garojnë në fundjavë në “Teuta Cup 2026” appeared first on Euronews Albania.
