Partia VLEN ka akuzuar BDI-në se ka zyrtarizuar gjuhën serbe në Komunën e Kumanovës, ku serbët përbëjnë rreth 6.5 për qind të popullsisë. Përfaqësuesit e koalicionit publikuan një dokument që, sipas tyre, dëshmon mbështetjen e BDI-së për këtë vendim në vitin 2010.
Sipas VLEN-it, BDI ka treguar vullnet politik kur bëhej fjalë për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar, por jo për zgjidhjen e çështjeve që prekin drejtpërdrejt shqiptarët.
“Pikërisht kjo parti, që sot nga opozita e ka gojën plot shqiptari, në kulmin e pushtetit të saj, më 4 maj të vitit 2010, bëri që gjuha serbe të futet në përdorim zyrtar në Kumanovë…”, thotë Granit Osmani, përfaqësues i koalicionit politik VLEN.
Sipas koalicionit, për tema si përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës apo përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve, ka pasur vonesa dhe mungesë angazhimi.
“Kur duhej të zyrtarizohej serbishtja në Kumanovë, kishin zell, votë e vullnet. Por kur duhej të zgjidheshin hallet e shqiptarëve, gjithmonë kishte zvarritje”, shprehet ai.
Nga VLEN theksojnë se nuk janë kundër zyrtarizimit të asnjë gjuhe, por kundër asaj që e konsiderojnë trajtim të pabarabartë të çështjeve që lidhen me komunitetet dhe të drejtat e tyre. Deri në publikimin e këtij materiali, nga BDI nuk ka pasur asnjë reagim publik lidhur me akuzat dhe dokumentin e publikuar nga koalicioni VLEN.
The post Partitë shqiptare në RMV përplasen për gjuhët, VLEN akuzon BDI-në për serbishten appeared first on Euronews Albania.
