Sulmuesi brazilian Neymar ndihet “si fëmijë” në prag të pjesëmarrjes së tij të katërt dhe të fundit në Kupën e Botës, ndonëse prania e tij mbetet e pasigurt për shkak të një dëmtimi në pulpën e djathtë, siç deklaroi vetë ai në një seri dokumentare braziliane.
“Edhe pse kjo është Kupa ime e katërt e Botës, ndjesia është ndryshe për shkak të gjithçkaje që ajo përfshin dhe, sigurisht, është e fundit”, shpjegon Neymar në një fragment të dokumentarit “Vai, Brasil”.
“Jam këtu si një fëmijë, si një 18-vjeçar që shkon në Kupën e tij të parë të Botës”, thekson futbollisti i Santos në dokumentar. Në moshën 34-vjeçare, numri 10 i Seleçaos vazhdon rikuperimin muskulor, katër ditë para ndeshjes së parë të pesë herë kampionëve të botës kundër Marokut, të shtunën në Nju Xhersi, në raundin e parë të Grupit 3.
Golashënuesi më i mirë i “Kanarinjës” ka treguar përmirësim nga dëmtimi i pësuar më 17 maj, por ende nuk ka arritur të stërvitet me ekipin, sipas Federatës Braziliane të Futbollit.
Për shkak të mungesës së ritmit të ndeshjeve, mungesa e tij në ndeshjen ndaj Marokut konsiderohet e sigurt dhe ai mund të bëjë debutimin në ndeshjen e dytë, kundër Haitit më 19 qershor.
Pavarësisht problemeve fizike që kanë ndikuar në performancën e ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit vitet e fundit, Carlo Ancelotti vendosi ta përfshijë në listën me 26 lojtarë për të synuar trofeun e gjashtë botëror.
“Jam shumë krenar, shumë i lumtur që jam këtu. Do të shijoj çdo sekondë, çdo moment të këtij Botërori dhe shpresoj që të jetë gjithashtu i veçantë”, u shpreh Neymar.
Ai ka marrë pjesë në të gjitha Botërorët që nga viti 2014, por Brazili nuk ka arritur të fitojë titullin që nga viti 2002. Paraqitja më e mirë ishte në vitin 2014, kur vendi pësoi humbjen e rëndë 7–1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale, në një ndeshje ku Neymar nuk luajti.
The post Neymar para Kupës së Botës: Ndihem si një 18-vjeçar që luan për herë të parë në këtë turne appeared first on Euronews Albania.
