Shqipëria rezulton ndër vendet me tarifat më të larta të taksive në Europë, sipas të dhënave të platformës ndërkombëtare Numbeo. Kostoja mesatare për një kilometër udhëtim me tarifë standarde arrin në rreth 3.7 dollarë, duke e renditur vendin përpara shumë shteteve të rajonit dhe Europës Lindore.
Diferenca është e ndjeshme kur Shqipëria krahasohet me fqinjët e saj. Në Serbi, një kilometër me taksi kushton mesatarisht rreth 1 dollar, në Mal të Zi rreth 1.2 dollarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nën 1 dollar. Tarifa më të ulëta raportohen edhe në Rumani dhe Bullgari, pavarësisht se të dyja janë vende anëtare të Bashkimit Europian.
Kjo do të thotë se një udhëtim prej 5 kilometrash në Shqipëri mund të kushtojë disa herë më shumë sesa i njëjti shërbim në vendet fqinje, duke e bërë taksinë një nga format më të kushtueshme të transportit urban në rajon.
Ndërkohë, tarifa e nisjes së udhëtimit nuk renditet mes më të lartave në Europë. Sipas të dhënave të Numbeo, kostoja fillestare e shërbimit mbetet relativisht e moderuar, ndërsa diferenca krijohet kryesisht nga çmimi që aplikohet për çdo kilometër të përshkuar.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim edhe me rritjen e fortë të turizmit. Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuara në Ballkan, duke regjistruar fluks rekord vizitorësh. Kërkesa më e lartë për transport, veçanërisht në Tiranë, qytetet bregdetare dhe zonat turistike, ka ushtruar presion mbi çmimet e shërbimit.
Edhe pse tregu është zgjeruar me hyrjen e operatorëve të rinj dhe shtimin e mjeteve që ofrojnë shërbim taksi, çmimet për kilometër mbeten ndër më të lartat në Europë. Kjo tregon se rritja e konkurrencës nuk është reflektuar ende në uljen e kostos për konsumatorët.
The post Shqipëria rezulton ndër vendet me taksitë më të shtrenjta në Europë appeared first on GIJOTINA.
