“Zjarret e lirisë” ndizen në Prishtinë, qytetarët presin verdiktin për ish-krerët e UÇK-së

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gazetari i Euronews në Kosovë, Xhemajl Rexha, raportoi për emisionin “Now me Erla Mëhillin” nga sheshi “Skënderbej” në qendër të Prishtinës, 12 orë para vendimit në Hagë, ku qytetarët janë mbledhur në atë që është pagëzuar si “Nata e Pritjes”.

Në shesh janë mbledhur një numër i madh qytetarësh, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, si dhe përfaqësues politikë të PDK-së. Ata kanë ndezur “zjarret e lirisë” dhe pritet të qëndrojnë në shesh, në pritje të verdiktit që pritet të shpallet nesër në orën 10:00.

Ndërkohë, edhe në Skënderaj, në zemër të Drenicës dhe vendlindjen e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë mbledhur qytetarë për të pritur vendimin.

Gazetari tha se në Kosovë mbizotëron një atmosferë ankthi, pritjeje dhe pasigurie për verdiktin, por edhe për atë që mund të ndodhë më pas.

“Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur këtu në këtë shesh, aty ku u mbajt edhe ‘Marshi për Lirinë’ për ish-krerët e UÇK-së. Janë mbledhur në atë që quhet ‘Nata e Pritjes’. Ashtu si në Hagë, edhe në Prishtinë do të ketë një natë pritjeje, me gjasë deri në mesnatë. Ka zjarre të ndezura, janë ‘zjarret e lirisë’, siç janë quajtur. Një numër veteranësh të luftës, politikanë të PDK-së, familjarë dëshmorësh dhe familjarë të atyre që janë në Hagë janë mbledhur me flamuj të UÇK-së dhe qëndrojnë këtu, duke pritur me shpresë për të parë në orën 10:00 verdiktin. Po ashtu, edhe në Skënderaj, që është zemra e Drenicës, vendlindja e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka një numër të madh njerëzish që janë mbledhur dhe do të qëndrojnë sonte për të pritur verdiktin. Në pritje të këtij vendimi, janë orë ankthi për të gjithë qytetarët e Kosovës, një ndjenjë pritjeje dhe pasigurie se çfarë mund të ndodhë. Bindja e shumicës është se askush nuk e di verdiktin final dhe ka pasiguri se çfarë do të ndodhë edhe më pas, cili do të jetë fati i katër ish-krerëve të UÇK-së dhe çfarë do të ndodhë më pas në Kosovë”, tha ai.

The post “Zjarret e lirisë” ndizen në Prishtinë, qytetarët presin verdiktin për ish-krerët e UÇK-së appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: