“Po nxjerrin emigrantët nga shtëpitë”, Trazira dhe sulme raciste në Irlandën e Veriut, digjen banesa dhe automjete! Belfasti përfshihet në flakë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një valë protestash dhe incidentesh të dhunshme ka përfshirë disa zona të Irlandës së Veriut gjatë mbrëmjes së së martës, pas arrestimit dhe akuzimit të një 30-vjeçari sudanez për tentativë vrasjeje lidhur me një sulm me thikë të ndodhur në Belfast, ku një person mbeti i plagosur rëndë.

Situata më e tensionuar u regjistrua në Belfast, ku protestat degraduan në akte vandalizmi dhe zjarrvënie. Një autobus u përfshi nga flakët në zonën e Newtownards Road në lindje të qytetit, ndërsa disa banesa aty pranë u dogjën. Shërbimet e emergjencës ndërhynë për të shpëtuar një familje që ndodhej brenda një prej shtëpive të prekura nga zjarri.

Incidente të ngjashme u raportuan edhe në veri të Belfastit, pranë Crumlin Road, ku disa banesa u sulmuan dhe u dogjën. Sipas pastorit Jack McKee, i cili ndodhej në vendngjarje, familje me origjinë afrikane u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të ngjyrës së lëkurës.

“Po nxirren nga shtëpitë e tyre, po sulmohen dhe po u thyhen dritaret vetëm sepse janë me ngjyrë. Janë njerëz të mirë dhe pjesë e komunitetit prej shumë vitesh”, deklaroi ai.

Dhuna u përhap edhe në zona të tjera të vendit. Automjete u dogjën në Newtownabbey, një makinë policie u shkatërrua nga flakët në Portadown, ndërsa një berberhane turke u sulmua në Ballyclare.

Megjithatë, në disa qytete të tjera, përfshirë Antrim, Ballymena, Londonderry, Larne dhe Bangor, protestat u zhvilluan në mënyrë paqësore. Demonstrata u mbajtën gjithashtu në Glasgow, Edinburg dhe Southampton në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar.

Ngjarjet janë dënuar ashpër nga drejtuesit politikë të Irlandës së Veriut. Kryeministrja Michelle O’Neill e cilësoi dhunën si “banditizëm të hapur” dhe dënoi sulmet ndaj familjeve.

“Grupe burrash të maskuar që djegin familjet në shtëpitë e tyre nuk janë asgjë tjetër veçse frikacakë të neveritshëm”, deklaroi ajo.

Edhe Zëvendëskryeministrja Emma Little-Pengelly bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se veprimet e një individi nuk mund të justifikojnë sulmet ndaj komuniteteve të tëra.

Ndërkohë, Sekretarja britanike për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, tha se trazirat po rrezikojnë jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe po dëmtojnë komunitetet lokale.

“Nuk ka asnjë justifikim për këtë nivel shkatërrimi dhe dhune”, u shpreh Benn.

Autoritetet kanë konfirmuar se 30-vjeçari i akuzuar për sulmin me thikë do të paraqitet përpara gjykatës të mërkurën në mëngjes, ndërsa policia vijon hetimet për incidentet e dhunshme që pasuan në disa zona të Irlandës së Veriut.

The post “Po nxjerrin emigrantët nga shtëpitë”, Trazira dhe sulme raciste në Irlandën e Veriut, digjen banesa dhe automjete! Belfasti përfshihet në flakë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: