Lirohen nga paraburgimi drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka hequr masën e paraburgimit njëmujor drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, të cilët Prokuroria i ngarkon me veprën e ndikimit në vullnetin e lirë të votuesve.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e paraqitjes së rregullt në stacionin policor, me kërkesë të Çrokurorisë.

“Nëse të pandehurit nuk do ta respektojnë masën e shqiptuar, gjykata, konform nenit 182, paragrafi 5 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, do të urdhërojë sërish caktimin e masës së paraburgimit”, tha gjykata.

Ndryshimin e masës së sigurisë për shtatë drejtorët e konfirmoi edhe avokatja e njërit prej të pandehurve.

“Ata do të mbrohen në liri”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) avokatja e njërit prej të dyshuarve, Jovana Fillipoviq.

Gjykata fillimisht ua kishte caktuar masën e paraburgimit më 21 maj, me arsyetimin se ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lirohen, mund t’i shmangen përgjegjësisë penale ose ta përsërisin veprën penale.

Arrestimi i drejtorëve të institucioneve serbe në Kosovë erdhi pasi lideri i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, e akuzoi Listën Serbe se po ushtron presion dhe po shantazhin mbështetësit e tij.

Ai pohoi se rreth 20 persona që e mbështesin janë pushuar nga puna nga këto institucione serbe dhe se në periudhën e ardhshme, rreth 40 persona të tjerë pritet të marrin një vendim për shkarkimin e tyre vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

Ndalimi i paraburgimit u urdhërua për Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Lllapna Sellë; Boban Petroviq, drejtor i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Sushicë; Millica Dimiq, drejtoreshë e shkollës fillore “Braqa Aksiq” në Lipjan; Nebojsha Rashiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Makinerisë në Preoc; Bratisllav Llaziq, drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Graçanicë; Mirjana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë; Sasha Mlladenoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericën e Ulët.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka publikuar gjithashtu rrëfimet e disa personave, të cilët thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit. Ata kishin qenë të punësuar për disa dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit kontrollohen kryesisht nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

The post Lirohen nga paraburgimi drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: