Spanja, Franca, Argjentina… Raklli zbërthen favoritët e Botërorit 2026

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në emisionin “Kubi Sportiv”, të drejtuar nga Drilon Xhepollari, u diskutua nisja e turneut më të madh futbollistik në botë, FIFA World Cup 2026, si dhe situata e disa prej skuadrave kombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë, pas dy miqësoreve të fundit.

I ftuar në lidhje live, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Raklli, vlerësoi zgjerimin e formatit të Botërorit, por theksoi se rritja e numrit të skuadrave mund të ndikojë në nivelin teknik të turneut.

Sipas tij, kompeticioni mbetet i hapur për shumë vende që më parë nuk kishin mundësi pjesëmarrjeje, por në fund, diferencën do ta bëjnë gjithmonë ekipet e mëdha.

Duke analizuar pretendentët, Raklli veçoi Spanja dhe Franca si skuadrat më të kompletuara për momentin, ndërsa përmendi edhe Brazilin, Portugalinë dhe Argjentinën në garën për trofeun.

Ai shprehu dyshime për formën e Gjermanisë, duke theksuar mungesën e liderëve dhe konsistencës në nivelin e lojës, ndërsa shtoi se Portugalia mbetet pretendente, por varet shumë nga gjendja fizike e Cristiano Ronaldos.

Sipas Rakllit, Gjermania nuk ka aktualisht figurat udhëheqëse që e kanë karakterizuar në turnetë e mëparshëm, ndërsa për Anglinë theksoi se pavarësisht cilësisë së lojtarëve, mungon “diçka vendimtare” në momentet kyçe të kompeticioneve të mëdha.

Duke folur për Brazilin, Raklli u shpreh se ardhja e Carlo Ancelottit mund të sjellë ekuilibër dhe organizim më të mirë në një skuadër të mbushur me talent teknik, por që shpesh ka vuajtur nga mungesa e strukturës taktike.

Shqipëria dhe dy miqësoret zhgënjyese

Në pjesën e fundit të intervistës, Raklli komentoi edhe performancën e Shqipërisë, duke u ndalur te dy humbjet në miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Ai tha se ndryshimet taktike kërkojnë kohë dhe se skuadra ende nuk ka gjetur stabilitetin e duhur në lojë.

Sipas tij, pritshmëritë duhet të jenë më të kujdesshme, duke theksuar se kualiteti aktual i ekipit kërkon punë dhe jo vetëm deklarata optimiste.

The post Spanja, Franca, Argjentina… Raklli zbërthen favoritët e Botërorit 2026 appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: