Arkeologët zbulojnë mozaikë të rinj me vlera historike në Bazilikën Paleokristiane të Elbasanit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gërmimet arkeologjike në Bazilikën Paleokristiane të Elbasanit kanë nxjerrë në dritë mozaikë të rinj me vlera të rëndësishme historike, artistike dhe fetare, duke pasuruar më tej dëshmitë mbi rolin e lashtë të Skampis përgjatë Via Egnatia.

Sipas arkeologëve, mozaiku i sapozbuluar përmban elementë dekorativë dhe simbolikë karakteristikë të traditës së krishterë të hershme. Mes tyre spikasin motive me gjethe hedera, dekorime me luspa peshku dhe skena të Eukaristisë.

Arkeologu Erikson Nikolli shpjegoi se gjethet e hederës simbolizojnë qëndrueshmërinë e besimit, ndërsa motivi i peshkut lidhet me simbolikën e Krishtit në traditën e krishterë. Ai theksoi se në absidën e kishës është zbuluar një skenë e Eukaristisë, ku paraqitet një kantaros dhe dy pallonj që pijnë prej tij, një motiv i njohur i artit paleokristian.

“Kemi zbuluar një panel të rrethuar me gërsheta dhe gjethe hedera, që simbolizojnë forcën dhe vazhdimësinë e besimit. Po ashtu kemi një panel me luspa peshku, simbol i Krishtit, si dhe skenën e Eukaristisë në pjesën më të shenjtë të kishës”, tha Nikolli.

Sipas tij, ngjashmëritë me mozaikët e kishave të tjera përgjatë Via Egnatia-s tregojnë se artizanët e kohës lëviznin nga një qendër fetare në tjetrën, duke sjellë ndikime të përbashkëta artistike në rajon.

Ndërkohë, arkeologu Elio Hobdari u shpreh se mozaikët e rinj polikromë dëshmojnë nivelin e lartë kulturor dhe ekonomik që kishte qyteti gjatë shekujve V dhe VI.

“Është zbuluar pjesërisht një skenë e Eukaristisë, si dhe një mbishkrim i rëndësishëm që përmend dy dhurues të kishës. Gjithashtu po hasim mbishkrime në gjuhën latine dhe greke”, tha Hobdari.

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, Bazilika Paleokristiane e Elbasanit mbetet një nga dëshmitë më të rëndësishme të zhvillimit fetar, kulturor dhe ekonomik të Skampisit antik. Zbulimet e fundit pritet të hedhin më shumë dritë mbi historinë e qytetit dhe rëndësinë e tij si një qendër kryesore përgjatë Via Egnatia-s.

The post Arkeologët zbulojnë mozaikë të rinj me vlera historike në Bazilikën Paleokristiane të Elbasanit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: