Kanadaja synon të mposhtë Bosnjën dhe t’i lejojë vetes të ëndërrojë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kanadaja do ta nisë fushatën e saj në Kupën e Botës kundër Bosnjë-Hercegovinës të premten në Toronto, me synimin për ta fituar ndeshjen e parë dhe të ëndërrojë kalimin historik për raundin tjetër.
Në dy paraqitjet e tyre të mëparshme në finalet e Kupës së Botës – në vitin 1986 në Meksikë dhe në vitin 2022 në Katar – kanadezët kanë pësuar gjashtë humbje në gjashtë ndeshje.

Ata po kërkojnë ta kalojnë me suksese Grupin B që, përfshin gjithashtu Katarin dhe Zvicrën, favoriten për ta fituar grupin.

“Një Kupë Bote e suksesshme për Kanadanë do të thotë dalje nga grupi. Gjëja më e rëndësishme është të dalim nga grupi”, tha trajneri Jesse Marsch, i cili u emërua përzgjedhës i Kanadasë në vitin 2024. “Grupi më i mirë që ka pasur ndonjëherë ky vend”.

Amerikani ka ambicie të mëdha me Kanadanë, që renditet i 30-ti në botë. 

Lider i Kanadasë është mbrojtësi i majtë i Bayernit, Alphonso Davies, ndërsa sulmit i prin Jonathan David i Juventusit.

Por Davies ka luajtur shumë pak këtë sezon pas një sërë lëndimesh, përfshirë një tërheqje muskulore në fillim të majit. Mbrojtësi është në një garë me kohën për të qenë gati për ndeshjen e parë të fazës së grupeve. David, ish-sulmuesi i Lille dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Kanadasë me 39 gola, gjithashtu vjen nga një sezon mesatar me Juventusin.

Një tjetër sulmues i ri premtues, Marcelo Flores, u lëndua menjëherë pasi u thirr nga Marsch. Ai u zëvendësua nga anësori Jayden Nelson. 

“Ne kemi mbledhur grupin më të mirë prej 26 lojtarësh që ky vend ka pasur ndonjëherë”, tha trajneri i Kanadasë. “Ne nuk i vendosim vetes asnjë kufi”.

Duke pasur parasysh rezultatet e Kanadasë gjatë dy vjetëve të fundit, një fitore e parë në Kupën e Botës duket realiste. Kanadezët i surprizuan të gjithë duke arritur në gjysmëfinalet e “Copa America” në vitin 2024 dhe duke humbur në penallti ndaj Uruguait në ndeshjen për vendin e tretë.

“Ne duam ta bëjmë ëndrrën realitet për të gjithë, ky është qëllimi ynë”, thotë Maxime Crepeau, portieri 32-vjeçar. “Ne nuk po vendosim kufizime për veten tonë. Ne e dimë potencialin tonë dhe e dimë se sa larg mund të shkojmë. Ne i lejojmë vetes të ëndërrojmë”, shton ai.

Në ndeshjet e tyre të fundit përgatitore, Kanadaja fitoi 2:0 kundër Uzbekistanit dhe barazoi 1:1 me Irlandën.

Të premten, kanadezët do të duhet të ndalin dy sulmuesit e rinj boshnjakë, Esmir Bajraktareviq 21-vjeçar dhe Kerim Alajbegoviq 18-vjeçar. Dhe mbi të gjitha, liderin Edin Xheko, i cili mban rekordin për gola dhe paraqitje te Bosnjë-Hercegovina. Ai ka 73 gola në 148 ndeshje.

Për 40-vjeçarin është Kupa e dytë e Botës.

Trajneri Sergej Barbarez i Bosnjë-Hercegovinës gjithashtu pohoi ambiciet e tij, duke shpresuar të arrijë në mesin e 16 përfaqësuesve më të mira të Botës.

Bosnjë-Hercegovina mposhti Italinë, kampione katër herë të Botës, në finalen e plejofit evropian në fund të marsit. Ata do të kenë përkrahje të madhe në stadiumin e Torontos.

The post Kanadaja synon të mposhtë Bosnjën dhe t’i lejojë vetes të ëndërrojë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: