Përleshja mes dy familjeve në Kosovë përfundon tragjikisht, humb jetën një 27-vjeçar

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Kobaj të Prizrenit, gjatë një përleshjeje mes dy familjeve. Një 27-vjeçar i identifikuar si Albian Osmanaj humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë incidentit është lënduar edhe babai i viktimës, rreth 57 vjeç, i cili ka pësuar plagë trupore.

Lajmi për vdekjen e të riut ka shkaktuar dhimbje dhe pikëllim të madh në komunitetin lokal. Banorët e fshatit Kobaj kanë shprehur ngushëllimet e tyre përmes rrjeteve sociale, duke e kujtuar Albian Osmanajn si një djalë të ri, humbja e të cilit ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët.

“Në këto momente të vështira, bashkëndjejmë dhimbjen me familjen Osmanaj dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të publikuar nga komuniteti i fshatit.

Ndërkohë, sipas raportimeve, personat e dyshuar të përfshirë në përleshje, si dhe disa familjarë të viktimës, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Prizren, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.

The post Përleshja mes dy familjeve në Kosovë përfundon tragjikisht, humb jetën një 27-vjeçar appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: