Tani largimi nga Shqipëria nuk ka pse të jetë në rrugë ilegale. Të dhënat e reja të Eurostat tregojnë se kërkesat për azil kanë rënë dhe format e reja të punësimit kanë ardhur në rritje.
Gjatë periudhës janar-mars 2026, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian ranë me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lejet e punës po zëvendësojnë gradualisht kërkesat për azil si mënyra kryesore për t’u vendosur në Europë.
Kjo tendencë nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet europiane. Gjatë vitit 2025, vendet e BE-së regjistruan rreth 669 mijë aplikime për azil për herë të parë, 27% më pak se një vit më parë. Spanja, Italia, Franca, Gjermania dhe Greqia mbetën vendet që pritën numrin më të lartë të aplikantëve, ndërsa Gjermania shënoi një nga uljet më të forta të kërkesave.
Ndërkohë, në mars të vitit 2026, vendet e BE-së dhe ato të asociuara morën rreth 59 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare, një nivel më i ulët se ai i regjistruar gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025. Franca, Italia, Spanja dhe Gjermania përqendruan më shumë se tre të katërtat e aplikimeve totale.
Mungesa e fuqisë punëtore në disa vende europiane dhe shtrëngimi i politikave të azilit kanë ndikuar në rritjen e këtij trendi. Në qershor të këtij viti hyri në fuqi edhe Pakti i ri Europian për Migracionin dhe Azilin, i cili synon procedura më të shpejta dhe kontrolle më të forta në kufijtë e BE-së.
Për Shqipërinë, të dhënat sugjerojnë se emigracioni po orientohet gjithnjë e më shumë drejt punësimit të rregullt dhe jo drejt kërkesave për azil, një ndryshim që pasqyron edhe kërkesën në rritje të tregut europian për fuqi punëtore nga Ballkani Perëndimor.
The post Eurostat: Më pak kërkesa për azil, më shumë kontrata pune appeared first on Euronews Albania.
