Për të dytin vit radhazi, qyteti i Dimalit mirëpriti aktivitetin festiv kushtuar trashëgimisë kulturore dhe historike të zonës, një aktivitet që bëri bashkë fëmijë, mësues, prindër, artizanë dhe banorë të shumtë të qytetit dhe fshatrave përreth.
Panairi, i organizuar në pedonalen kryesore të qytetit, u kthye në një hapësirë promovimi të vlerave historike dhe kulturore të Dimalit. Stendat e ngritura enkas për këtë aktivitet ekspozuan punime artizanale, objekte tradicionale, fotografi dhe materiale që pasqyronin historinë e hershme të zonës dhe traditat e ruajtura ndër breza.
“Festa e trashëgimisë, një mozaik kulturor në zemër të Dimalit, është një festë që vit pas viti po kthehet në një festë tradicionale ku të gjitha zonat administrative vijnë bashkohen dhe promovojnë vlerat e tyre. Kjo nuk është thjesht një festë, këtu është ku mishërohet shpirti i së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Është një aktivitet që jo vetëm po kthehet në traditë, por po ka një vazhdimësi e cila tregon vlerat që Bashkia Dimal nuk është një bashki kalimtare, por një bashki që ka të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, është shprehur Vilson Shehu, drejtues i “The Youth of Ura”.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte angazhimi i të rinjve dhe komunitetit të Dimalit, të cilët përmes projekteve dhe ekspozitave sollën elementë të historisë dhe identitetit kulturor të krahinës. Pjesëmarrja e gjerë krijoi një atmosferë festive dhe bashkëpunuese mes brezave.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i kulturës, traditës dhe historiku i Bashkisë Dimal. Sigurisht që kjo pjesë u vjen në ndihmë edhe artizanëve, fermerëve për të promovuar punimet e tyre, vlerat e trashëgimisë kulturore të Bashkisë Dimal. Ky është viti i dytë që ne e organizojmë një aktivitet të tillë. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me qendrën rinore The Youth of Ura, drejtuar nga zoti Vilson Shehu”, tha Pjerin Tumani, administrator i Bashkisë Dimal.
Aktivitetet u shtrinë gjatë dy ditëve dhe u shoqëruan me program të pasur artistik. Këngët dhe vallet tradicionale të interpretuara nga banorët sollën emocione të veçanta, ndërsa grupet folklorike prezantuan pasurinë shpirtërore të zonës.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si pasuri për brezat e ardhshëm, duke e kthyer këtë aktivitet në një traditë të qëndrueshme për Dimalin.
The post Mbahet panairi folklorik dhe artizanal në Dimal, promovim i trashëgimisë kulturore appeared first on Euronews Albania.
