Të rinjtë që u përjashtuan nga referendumi i BE-së i vitit 2016 për shkak të moshës së tyre, tani besojnë se Brexit ka dështuar, me shumicën që kërkon një votim të ri për t’u ribashkuar me BE-në.
Britanikët e Gjeneratës Z shfaqin pakënaqësi të thellë me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, sipas një sondazhi të ri të të rinjve të moshës 18 deri në 28 vjeç të kryer nga organizata thinktank More in Common.
Studimi “More in Common”, i cili anketoi 440 të rinj në të gjithë Britaninë, tregon se 50% e britanikëve të gjeneratës Z e kategorizojnë Brexit-in si një dështim. Vetëm 16% e shohin projektin si një sukses, ndërsa 34% mbeten të pavendosur.
Luke Tryl, drejtori ekzekutiv i More In Common, tha: “Për shumë britanikë të gjeneratës Z, referendumi i Brexit ishte formues për ‘ardhjen e tyre në moshë madhore’ politike. Në grupet e fokusit, shumë në këtë grupmoshë thonë se Brexit ishte ngjarja e parë politike për të cilën ishin qartësisht të vetëdijshëm – shumë të rinj për të votuar, por me kujtime të qarta të asaj fushate dhe viteve të debatit që pasuan.”
“Dhjetë vjet më vonë, sondazhi ynë i britanikëve të moshës 18 deri në 28 vjeç zbulon se si ndihen ata për Brexit-in: ata kanë tendencë të besojnë se ka dështuar dhe tre në pesë duan një referendum të ri për ribashkimin. Por çuditërisht, pak veta mendojnë se parimi i Brexit-it ishte i dënuar të dështonte që nga fillimi – ashtu si pjesa tjetër e publikut, ata kanë tendencë të thonë se mund të kishte funksionuar mirë, por se politikanët e shkatërruan atë”, shtoi ai.
Vetëm 11% pohojnë se Brexit ka funksionuar mirë deri më tani, dhe 23% nuk shprehën asnjë mendim.
Sipas sondazhit të “More in Common”, tre në pesë të rinj britanikë, 62% thanë se duhet të ketë një referendum për ribashkimin me BE-në brenda pesë viteve të ardhshme. Vetëm 11% e të rinjve nën 29 vjeç kundërshtojnë mbajtjen e një votimi tjetër, ndërsa 27% nuk janë të sigurt.
Dëshira për një referendum të dytë është më i lartë midis atyre që dëshirojnë të kthehen në grupin evropian, me 88% të votuesve të mundshëm të Ribashkimit që mbështesin një votim të ri.
The post Tre në pesë të rinj të gjeneratës Z duan një votim të ri për ribashkimin e Britanisë me BE-në appeared first on Euronews Albania.
