Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën në Baku një program prej 20 milionë eurosh për të mbështetur paqen në Kaukazin Jugor, gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Sipas saj, fondet do të përdoren për projekte në kujdesin shëndetësor, çminimin, zhvillimin rural dhe menaxhimin e ujërave, me synim përmirësimin e jetës së banorëve në zonat kufitare.
Von der Leyen bëri të ditur gjithashtu se BE-ja planifikon të investojë deri në 200 milionë euro në transport, energji dhe lidhje dixhitale në rajon, me potencial për të mobilizuar deri në 2 miliardë euro investime publike dhe private. Ajo propozoi edhe krijimin e një Partneriteti të Lidhshmërisë BE-Azerbajxhan.
Nga ana e tij, presidenti Ilham Aliyev tha se marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe BE-së po kalojnë një periudhë dinamike, duke theksuar bashkëpunimin në energji, lidhshmëri dhe procesin e paqes me Armeninë. Ai vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Kaukazin Jugor.
The post BE ndan 20 milionë euro për të promovuar paqen në Kaukazin Jugor appeared first on Euronews Albania.
