Kombëtarja e Francës dhe ajo e Paraguajit mund të përballen me kushte ekstreme atmosferike në ndeshjen e 1/16 së finales së Kupës së Botës, pasi ekspertët kanë ngritur shqetësime serioze për temperaturat e larta të parashikuara në Philadelphia.
Sipas parashikimeve, temperatura e ndjeshme mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius gjatë zhvillimit të ndeshjes në stadiumin e hapur të qytetit, çka ka shtyrë specialistët të kërkojnë nga FIFA që të shqyrtojë shtyrjen ose ndryshimin e orarit të takimit për arsye sigurie. Ata paralajmërojnë se kushtet e motit mund të rrezikojnë shëndetin e futbollistëve, gjyqtarëve dhe dhjetëra mijëra tifozëve të pranishëm.
FIFA ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe do të monitorojë situatën, ndërsa janë planifikuar masa si pauza për hidratim, zona freskimi dhe shpërndarje uji për tifozët. Megjithatë, ekspertët e mjekësisë sportive theksojnë se këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme nëse temperaturat mbeten në nivele ekstreme.
Ndeshja Francë–Paraguaj është planifikuar të zhvillohet të shtunën në Filadelfia, ndërsa vala e të nxehtit që ka përfshirë lindjen e Shteteve të Bashkuara po krijon sfida të mëdha edhe për organizatorët e Kupës së Botës.
The post Alarm nga temperaturat ekstreme, ekspertët i kërkojnë FIFA-s të shtyjë ndeshjen Francë-Paraguaj appeared first on Euronews Albania.
