Propozimi i Bekim Sejdiut për President të Kosovës, reagon kreu i LDK-së Lumnir Abdixhiku

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për President të Kosovës. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se dy partitë do të propozojnë profesorin dhe diplomatin Bekim Sejdiu për këtë post, pas negociatave të gjata mes dy subjekteve politike.

Statusi i Lumnir Abdxhikut:

Sot, po i japim Republikës tonë një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze.

Pas përfundimit të negociatave të gjata, jam i lumtur të njoftoj se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht profesor Dr. Bekim Sejdiun kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Ky është, para së gjithash, një lajm i mirë për Kosovën.

Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake.

Pikërisht këtë kemi bërë.

Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks.

Profesor Sejdiu është jurist i shquar, diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi që nga qeverisjet e para të LDK-së; ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe njohës i thellë i shtetit dhe i së drejtës. Bekim Sejdiu e do Republikën, beson në Kushtetutën e saj dhe në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik; në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetar në bindje, me rrënjë në familje me ideale të larta kombëtare; mbi të gjitha, njeri me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë – virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.

Prej tij presim të jetë President i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë.

Presim që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve tanë; të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha.

LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot.

Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgje në kthim për veten. Sepse e don shtetin më shumë se sa veten.

Zoti e bekoftë Kosovën!

The post Propozimi i Bekim Sejdiut për President të Kosovës, reagon kreu i LDK-së Lumnir Abdixhiku appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: