Vlerat historike dhe arkitekturore të Gjirokastrës po promovohen gjithnjë e më shumë edhe përmes arteve të aplikuara. Studentë të Universitetit të Arteve kanë ndërmarrë një nismë për të realizuar në miniaturë monumentet më të njohura të qytetit të gurtë, duke sjellë një mënyrë të veçantë për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare.
Në punimet e tyre po rindërtohen Kalaja e Gjirokastrës, banesat karakteristike muzeale dhe objekte të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të cilat përfaqësojnë identitetin e qytetit. Frymëzim për këto krijime kanë qenë edhe veprat e shkrimtarit Ismail Kadare, veçanërisht romani “Kronikë në gur”, që përshkruan atmosferën dhe arkitekturën unike të Gjirokastrës.
Studentët tregojnë se puna për realizimin e miniaturave u ka dhënë mundësinë ta njohin më mirë qytetin dhe të përcjellin përmes artit emocionin që të krijojnë godinat karakteristike prej guri.
Ata shprehen se sfida më e madhe është riprodhimi sa më realist i strukturës dhe pamjes së gurit, në mënyrë që veprat të transmetojnë autenticitetin e arkitekturës gjirokastrite dhe të frymëzojnë artistë të tjerë.
Sipas tyre, përveç vlerës artistike, këto punime shërbejnë edhe si një mjet i rëndësishëm promovues për turizmin kulturor, pasi ndihmojnë vizitorët të njohin më mirë historinë, arkitekturën dhe identitetin e qytetit.
Përmes miniaturave, artistët synojnë të nxjerrin në pah elementët më karakteristikë të Gjirokastrës dhe t’u tregojnë turistëve pasurinë kulturore që mbart qyteti.
Që prej vitit 2005, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe mbetet një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri, falë historisë së pasur, arkitekturës unike dhe vlerave të saj kulturore.
The post Studentët e Arteve sjellin në miniaturë monumentet e Gjirokastrës, promovojnë trashëgiminë kulturore appeared first on Euronews Albania.
