Dhunoi të moshuarën në azil, ish-infermierja dënohet me burg

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg ish-infermieren Aurona Pelaj, e akuzuar për dhunën ndaj një të moshuare në një shtëpi të kujdesit në Pejë.

Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2022, kur Pelaj ushtronte detyrën si infermiere në institucion.

Sipas aktgjykimit, ajo u shpall fajtore për sulmin ndaj një gruaje të moshuar, e diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer dhe e vendosur në qendrën e përkujdesjes.

Gjyqtari Alan Taranis deklaroi se e pandehura, duke përfituar nga gjendja e pambrojtur e viktimës, e kapi nga të dyja duart, ia kufizoi mundësinë për t’u mbrojtur, e mbështeti pas muri dhe e goditi disa herë me shuplakë në fytyrë.

Gjykata vendosi dënimin me 2 vjet e 3 muaj burg, duke llogaritur edhe periudhën e paraburgimit nga 2 deri më 24 nëntor 2022.

Pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të infermieres për pesë vjet, masë që do të hyjë në fuqi pasi vendimi të bëhet i formës së prerë.

Rasti kishte shkaktuar reagime të forta në opinionin publik në Kosovë pas publikimit të pamjeve të dhunës ndaj të moshuarës në vitin 2022.

 

The post Dhunoi të moshuarën në azil, ish-infermierja dënohet me burg appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: