Qeveria ka shkurtuar ndjeshëm fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian nëpërmjet aktit normativ të qershorit 2026. Sipas buxhetit të rishikuar, financimi nga ky instrument bie nga 6.8 miliardë lekë të planifikuara fillimisht në vetëm 1.79 miliardë lekë, një ulje prej 5.01 miliardë lekësh ose 74%.
Kjo do të thotë se gjatë vitit 2026 është planifikuar të përdoret vetëm rreth një e katërta e fondeve të parashikuara nga BE-ja. Si pasojë, edhe shpenzimet kapitale të buxhetit janë reduktuar nga 179.8 miliardë lekë në 176.2 miliardë lekë, me një shkurtim prej 3.6 miliardë lekësh ose 2%. Financimi i huaj për investimet publike ka rënë nga 47 miliardë lekë në 42 miliardë lekë, duke shënuar një reduktim prej 5 miliardë lekësh ose 11%.
Për të zbutur ndikimin e mungesës së fondeve të jashtme, qeveria ka rritur financimin nga burimet e brendshme. Ky zë është rritur nga 126.8 miliardë lekë në 128.2 miliardë lekë, me një shtesë prej 1.35 miliardë lekësh ose rreth 1%. Sipas analizës së publikuar nga Monitor, reduktimi i fondeve lidhet me vështirësitë e institucioneve shqiptare për të përmbushur kushtet dhe procedurat e kërkuara nga Bashkimi Europian për disbursimin e fondeve. Edhe pse administrata është zgjeruar me staf të ri dhe qeveria ka ndërmarrë hapa për forcimin e kapaciteteve institucionale, procesi i përthithjes së financimeve të huaja mbetet problematik.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, e përbërë nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi me kushte lehtësuese. Disbursimi i fondeve kushtëzohet nga zbatimi i reformave socio-ekonomike dhe përmbushja e objektivave të dakorduara me Komisionin Europian në kuadër të Agjendës së Reformave. Shqipëria pritet të përfitojë rreth 940 milionë euro nga ky instrument gjatë periudhës 2024–2027, por ritmi i zbatimit të reformave dhe vonesat në procedurat e vlerësimit po ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e fondeve që vendi arrin të përdorë për investimet publike.
The post Dështimi i qeverisë me fondet e Bashkimit Europian, 5 miliardë lekë hiqen nga buxheti appeared first on GIJOTINA.
