Terras: E ardhmja e Kosovës është në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se e ardhmja e Prishtinës është në Bashkimin Evropian, por për anëtarësim në bllok kërkohen reforma.

“Po punojmë në këtë drejtim”, tha ai në një postim në X pasi zhvilloi takime me udhëheqës politikë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Terras fillimisht u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet “pa vonesa të mëtejme”, duke shtuar se përparimi i vendit drejt bllokut evropian duhet të vlerësohet mbi bazë të meritave.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

The post Terras: E ardhmja e Kosovës është në BE, por anëtarësimi kërkon reforma appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: