Rritja e pandalshme e çmimeve të pronave po shton vit pas viti ekspozimin e bankave ndaj tregut imobiliar, përmes zgjerimit të portofolit të kredive për pasuri të paluajtshme.
Referuar raportit vjetor të Mbikëqyrjes, rezulton se stoku i kredive në pasuri të paluajtshme nga 398 miliardë lekë që ishte në 2024-ën është rritur në fund të 2025-ës në 460 miliardë lekë (4.9 miliardë euro me kursin e sotëm), një zgjerim kredie me 62 miliardë lekë.
“Huaja për blerje banesash” për individët zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga “huaja për pasuri të paluajtshme” nga biznesi me 24.3%”, thuhet në raport.
Për shkak të shtimit të kredisë për blerje banesash, është rritur edhe ekspozimi i bankave ndaj sektorit, pasi rezulton se 46.1% e totalit të kredisë së dhënë ka si kolateral pasuri të paluajtshme.
Rritja konstante e ndërtimeve e paralelisht dhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme, po shton gjithnjë e më shumë kërkesën për kredi, ndaj shikohet me skepticizëm pasi mund të cenojë stabilitetin financiar. Një rënie e shpejtë e sektorit e shoqëruar me ulje të fuqisë paguese nga qytetarët mund të dëmtojnë bankat, për shkak të ekspozimit të lartë të tyre.
“Banka e Shqipërisë e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar. Për këtë arsye, Banka ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare”, deklaroi guvernatori Gent Sejko më 8 korrik në komisionet parlamentare.
Për të frenuar ekspozimin prej 1 viti, Banka e Shqipërisë ka caktuar kufizime për kredinë për blerje banese, pasi kur huaja kërkohet për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës me këst mujor jo më të lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Për banesën e dytë vlera e kredisë ulet në 80%. Kur kredia kërkohet në valutë tavanet janë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë, dhe kësti mujor jo mbi 35% e të ardhurave të kredimarrësit.
Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë në muajin maj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë 3.77% e totalit të kredisë së dhënë për ekonominë konsiderohet me “probleme”, nga 3.75% që ishte në muajin prill.
Kurse në raport me majin e vitit të kaluar, kreditë me probleme rezultojnë në rënie me 0.35%. Por edhe pse në përqindje janë në rënie, në vlerë huaja e keqe është rritur me 3.8 miliardë lekë në krahasim me majin e 2025-ës.
Në total portofoli i kredisë së keqe vlerësohet 36.8 miliardë lekë, dhe rezulton në rritje për shkak të rritjes edhe të totalit të kredisë që është dhënë për ekonominë.
Në raportin vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë thuhet se gjatë vitit të kaluar rënia më e madhe është regjistruar tek kredia me probleme që kishin bizneset.
“Treguesi i kredisë me probleme për biznesin ka rënë me 0.5 p.p, duke shkuar në nivelin e 4.7%, ndërkohë që edhe për individët ka rënë me 0.3 pikë përqindjeje kundrejt një viti më parë, duke qëndruar në nivelin 2.6%”, thuhet në raport.
Ndërsa sipas monedhës rënia më e madhe e kredisë me probleme është tek ajo që është marrë në valutë, për shkak të zhvlerësimit të kursit të këmbimit. Rënia e euros dhe dollarit përballë lekut, i ka bërë më të lira këstet e kthimit të kredisë.
Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, rezulton se treguesi i kredive me probleme në valutë ka pësuar një rënie me 0.6 p.p., duke arritur në nivelin 2.8%. Gjithashtu, edhe treguesi i kredive në Lek ka pësuar një rënie, por më të lehtë, me 0.2 p.p., duke arritur në nivelin 4.6% në fund të vitit 2025”, theksohet në raport.
gijotina.com/
The post Gati 5 miliard euro kredi e dhënë për blerje pronash! Rritet kredia e keqe appeared first on GIJOTINA.
