Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk solli asnjë marrëveshje konkrete për formimin e institucioneve të reja.
Dy liderët u takuan të premten në mëngjes, pas ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje. Pas rreth një ore diskutimesh, Kurti e cilësoi takimin konstruktiv, por pranoi se ende nuk ka rezultate konkrete.
Albin Kurti – Kryeministër në detyrë i Kosovës
“Ishte takim i parë dhe konstruktiv që kaloi në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit. Aktualisht nuk mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që mund ta ndaja me publikun. Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të vijojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese të arrijmë të konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetar Kuvendi, qeveri të re dhe po ashtu president të ri. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera duhet të vijojë të mbizotërojë dhe në këtë mënyrë mund të jemi optimistë për rrugën përpara.”
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij mbetet e hapur për dialog, por konfirmoi se do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati. Ai theksoi se PDK mund të japë kontribut për çështje që kërkojnë konsensus politik, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
Bedri Hamza – Kryetar i PDK-së
“Kemi thënë që Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Është e hapur për të biseduar, pa u imponuar, për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, duke i përfshirë të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat që i kemi pasur dhe në diskutimet që i kemi zhvilluar, qëndrimi ynë është që Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë. Ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që do të arrijnë t’i japin vendit institucionet e reja. Përveç Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend janë edhe 98 deputetë të tjerë, kështu që matematikisht ekziston mundësia për kompletimin e të gjitha institucioneve.”
Kurti deklaroi se formimi i qeverisë është përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, ndërsa zgjedhja e presidentit kërkon një dakordësi më të gjerë politike.
Sipas tij, kreu i ri i shtetit duhet të jetë një figurë konsensuale, përtej përkatësive partiake.
Albin Kurti – Kryeministër në detyrë i Kosovës
“Nëse unë si fitues i zgjedhjeve, kryetar i Vetëvendosjes, kam përgjegjësinë për formimin e qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Zgjedhja e presidentit është menduar që të ndodhë me një bashkëpunim me të tjerët. Andaj edhe ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush që ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale e qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë.”
Pas takimit me Hamzën, Kurti pritet të zhvillojë bisedime edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim.
Sipas afateve kushtetuese, legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës duhet të konstituohet deri më 7 gusht.
The post Takimi Kurti-Hamza përfundon pa rezultat konkret, vijojnë negociatat për institucionet e reja në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
