Ka nisur për të nëntin vit radhazi MIK Festival në Korçë, eventi ndërkombëtar i muzikës që bashkon artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Edicioni i këtij viti vjen me një koncept të zgjeruar, duke zhvilluar aktivitetet në disa skena të Korçës dhe Devollit.
“Vjen përsëri me surpriza, siç e kemi zakon. Fillojmë me xhaz, që nuk e kemi bërë asnjëherë, hapim dyert për zhanre të tjera. Xhaz i viteve ’30 që u krijua në Francë, me artiste shqiptare nga Suedia. Homazh për Viktor Gjikën e Teodor Laçon, koncert i jashtëzakonshëm në sallën e kinemasë. Një natë të mrekullueshme në Drenovë me balet, ‘Moonlight’, nën dritën e hënës, e shoqërojmë me Sonatën e Hënës. Ditën e fundit kemi dy koncerte, njëri në Hoçisht pranë kishës, guxojmë të sjellim një kor nga Greqia, si dhe për ta mbyllur në Parkun Rinia me koncert të serenatave”, u shpreh Inva Mula, Soprano.
Për herë të parë, MIK Festival sjell muzikën xhaz në programin e tij. Artistët pjesëmarrës e cilësuan këtë një hap të rëndësishëm për zgjerimin e repertorit artistik dhe afrimin e publikut me zhanre të reja.
“Shkoi shumë bukur. Më pëlqeu që publiku reagoi ndaj xhazit. Ky zhanër luhet, por në rajonin tonë jo. Rikthyer nuk e them dot, sepse nuk është luajtur më parë, por interesim ka, sepse reagimet e publikut treguan që u pëlqen”, theksoi Erkand Morina – Artist.
Për pianisten Ina Laço Petrollari, pjesëmarrja në këtë edicion ka një domethënie të veçantë, pasi interpreton muzikën e Pandi Laços dhe njëkohësisht nderon kujtimin e shkrimtarit Teodor Laço.
“Kam vite që dëgjoj për këtë festival, ndërsa këtë vit jam pjesëmarrëse. Më lumturon që zhvillohet në qytetin tim të lindjes. Pjesëmarrja ime ka domethënie, pasi shkrimtari Teodor Laço kujtohet me shumë dashuri dhe për mua është një emocion i veçantë”, tha pianistja Ina Laço.
Mbrëmja e parë e festivalit tërhoqi edhe turistë të huaj, të cilët vlerësuan atmosferën dhe programin artistik të ofruar.
“Unë vij nga Belgjika. Erdhi për herë të parë në Shqipëri. Vendi është shumë i bukur dhe ky koncert është qershia mbi tortë.”
“Vij nga Brukseli. Më pëlqen xhazi. Dëgjuam për koncertin dhe vendosëm të vinim”, thane turistët.
Me një program që ndërthur muzikën klasike, xhazin, baletin dhe serenatat, MIK Festival synon edhe këtë vit ta kthejë Korçën dhe Devollin në qendra të rëndësishme të artit dhe kulturës. Koncertet do të vijojnë gjatë ditëve në vazhdim, duke sjellë në skenë artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.
The post Muzika ‘Jazz’ ndez Edicionin e 9-të të MIK Festival në Korçë appeared first on Euronews Albania.
