Argjentina ka prerë biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Zvicrën me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë, në një ndeshje të luftuar deri në minutat e fundit.
Kampionët në fuqi e nisën sfidën në mënyrën më të mirë, duke kaluar në avantazh që në minutën e 10-të. Alexis Mac Allister finalizoi saktë një asist të Lionel Messit për rezultatin 1-0.
Megjithatë, Zvicra reagoi dhe barazoi në minutën e 67-të me Dan Ndoye, duke rikthyer ekuilibrin në takim. Vetëm pesë minuta më vonë, zviceranët mbetën me një lojtar më pak, pasi Breel Embolo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim.
Me epërsinë numerike, Argjentina rriti presionin, por nuk arriti të gjente golin e fitores në kohën e rregullt, duke bërë që sfida të shkonte në shtesë.
Heroi i argjentinasve ishte Julian Alvarez, i cili në minutën e 112-të realizoi një gol spektakolar me goditje nga distanca për t’i dhënë avantazhin ekipit të tij. Në minutën e 122-të, Lautaro Martinez vulosi fitoren me golin e tretë.
Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me Anglinë, në një duel mes dy prej favoritëve për trofeun.
Pavarësisht eliminimit, Zvicra largohet nga Botërori me kokën lart. E udhëhequr në fushë nga kapiteni Granit Xhaka, ndërsa Ardon Jashari u aktivizua nga minuta e 96-të, përfaqësuesja helvete zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe i vuri në vështirësi kampionët e botës deri në momentet vendimtare të ndeshjes.
The post Argjentina mposht Zvicrën në shtesë dhe siguron gjysmëfinalen, përballë do të ketë Anglinë appeared first on Euronews Albania.
