Humb jetën aktori i famshëm Sam Neill, interpretoi doktor Alan Grant në “Jurassic Park”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Aktori neozelandez Sam Neill ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Ylli i kinematografisë botërore, i njohur për rolet e tij në filma si “Jurassic Park” dhe “The Piano”, ndërroi jetë të hënën në Sydney të Australisë, i rrethuar nga familja e tij.

Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare të aktorit në Instagram. Familja e tij njoftoi se vdekja ishte e papritur, ndërsa theksoi se Neill u nda nga jeta me dinjitetin që e kishte karakterizuar gjatë gjithë jetës së tij. Në deklaratë nuk u bë i ditur shkaku i vdekjes, por aktori kishte folur më herët publikisht për betejën e tij me një formë të rrallë të kancerit të gjakut.

Në vitin 2022, Sam Neill u diagnostikua me limfomë angioimunoblastike të qelizave T në fazën e tretë. Në prill të këtij viti, ai kishte ndarë lajme të mira për gjendjen e tij shëndetësore, duke bërë të ditur se e kishte kapërcyer sëmundjen pas një trajtimi të avancuar me terapi CAR-T.

Në një intervistë për rrjetin australian “7News”, aktori tregoi se kimioterapia kishte humbur efektivitetin dhe se ai ishte përfshirë në një provë klinike me qeliza T CAR, një formë imunoterapie për pacientët me kancer të gjakut. “Sapo bëra një test dhe nuk kam kancer në trupin tim, gjë që është vërtet e mahnitshme”, ishte shprehur Neill, duke shtuar me humor: “Është koha që unë të bëj një film tjetër”.

Sam Neill la pas një karrierë disa dekadëshe në film dhe televizion, duke u bërë një nga aktorët më të njohur të Zelandës së Re. Ai fitoi famë ndërkombëtare me rolin e doktor Alan Grant në “Jurassic Park”, ndërsa luajti gjithashtu në filmin fitues të çmimit Oscar “The Piano” dhe në shumë produksione të tjera të suksesshme.

The post Humb jetën aktori i famshëm Sam Neill, interpretoi doktor Alan Grant në “Jurassic Park” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: