Në kërkim nga Interpoli, arrestohet në Serbi shtetasi malazez për krim të organizuar dhe trafik narkotikësh

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Autoritetet serbe kanë arrestuar në Beograd shtetasin malazez Vuk Vulleviq, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulleviq u arrestua më 12 korrik në një lokal në kryeqytetin serb. Gjatë kontrollit, policia i gjeti dokumente personale të falsifikuara, të cilat, sipas autoriteteve, ishin lëshuar në Kosovë. Ndaj tij do të ngrihet edhe një kallëzim penal për falsifikim dokumentesh.

MPB-ja serbe bëri të ditur se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim i kuq nga Interpoli në Podgoricë për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve.

Po ashtu, ai kërkohej edhe nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, në lidhje me procedurat që lidhen me kërkesën e autoriteteve malazeze.

Gjatë arrestimit, policia sekuestroi dy telefona celularë dhe njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd. Vulleviq pritet të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë.

Sipas policisë malazeze, ai dyshohet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Uliqit dhe Radoje Zvicerit.

The post Në kërkim nga Interpoli, arrestohet në Serbi shtetasi malazez për krim të organizuar dhe trafik narkotikësh appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: