Shqipëria nuk ka ende një skemë gjithëpërfshirëse universale për mbështetjen financiare të fëmijëve, ndërsa 40.5% e popullsisë rezulton në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pothuajse dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 21%.
Të dhënat paraqiten në projektprogramin e ri të UNICEF-it për Shqipërinë për periudhën 2027–2031. Dokumenti vlerëson se barra e varfërisë prek në mënyrë disproporcionale familjet me fëmijë në varësi, familjet me një prind, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, si edhe familjet rome dhe egjiptiane.
UNICEF ka gjetur se sistemi i mbrojtjes sociale dhe ai i mbrojtjes së fëmijëve vazhdojnë të jenë të fragmentuar dhe të financuar në nivele të pamjaftueshme. Shpenzimet për mbrojtjen sociale përbëjnë 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më pak se gjysma e mesatares së BE-së prej 20.5%. Vetëm 5% e këtyre fondeve përdoret për shërbimet e kujdesit social.
Financimi është edhe më i kufizuar në nivel vendor. Megjithëse bashkitë kanë përgjegjësi për sigurimin dhe aksesin në shërbimet sociale, ato shpenzojnë më pak se 2% të buxheteve të tyre për këtë qëllim. Kjo kufizon kapacitetin për të mbështetur familjet në vështirësi përmes shërbimeve, përtej pagesave të ndihmës ekonomike.
Hendeku me BE-në shtrihet edhe në arsim dhe shëndetësi. Shpenzimet publike për arsimin arritën në 2.6% të PBB-së në vitin 2024, kundrejt mesatares evropiane prej 4.6%. Për shëndetësinë, shpenzimet përllogariten në 2.77% të PBB-së, ndërsa mesatarja e BE-së është rreth 10%.
Pavarësisht përmirësimit të disa treguesve, varfëria e fëmijëve mbetet e lartë. Norma e fëmijëve në rrezik varfërie ra nga 29.7% në vitin 2019 në 26.6% në vitin 2024, por vijon të prekë më shumë se një në katër fëmijë.
Dokumenti thekson gjithashtu mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit në vitet e para të jetës. Vetëm 24% e fëmijëve nga lindja deri në tre vjeç kanë akses në kujdes formal nga një deri në 29 orë në javë. Oferta e kufizuar e çerdheve dhe shërbimeve të kujdesit rëndon mbi familjet dhe kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Në programin e ri, UNICEF parashikon të ofrojë asistencë teknike për vënien në funksion të përfitimit universal për fëmijët dhe për krijimin e mekanizmave që kombinojnë mbështetjen financiare me shërbimet e kujdesit.
The post UNICEF ngre alarmin: Mbi 40 % e shqiptarëve ndodhen në rrezik varfërie ose përjashtimi social appeared first on GIJOTINA.
