Barcelona po avancon me një projekt të ri organizativ që synon afrimin dhe koordinimin më të madh mes ekipit të parë dhe Barça Atlètic. Nisma u diskutua në mbledhjen e së mërkurës të bordit drejtues të klubit, me synimin për të krijuar një strukturë më efikase dhe të unifikuar.
Sipas planit, klubi synon të ndërtojë një model menaxhimi më të shpejtë dhe të koordinuar, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik e operacional. Riorganizimi pritet të përmirësojë procesin e vendimmarrjes, planifikimin e burimeve dhe zhvillimin e futbollistëve të akademisë prestigjioze La Masia.
Një rol kyç në këtë projekt pritet të ketë trajneri Hansi Flick, i cili që prej marrjes së drejtimit të skuadrës ka treguar besim të madh te talentet e reja. Futbollistët e Barça Atlètic kanë qenë pjesë e rregullt e seancave stërvitore të ekipit të parë dhe disa prej tyre ndodhen aktualisht në Angli, ku po zhvillohet faza përgatitore për sezonin e ri.
Me këtë ristrukturim, Barcelona synon të forcojë lidhjen mes dy ekipeve, duke krijuar një mekanizëm më funksional që do t’i mundësojë stafit teknik të reagojë më shpejt ndaj nevojave të skuadrës së parë.
Projekti konsiderohet një tjetër hap i klubit katalanas për të konsoliduar modelin e zhvillimit të talenteve nga akademia drejt ekipit të parë, duke ruajtur traditën e promovimit të futbollistëve të formuar në La Masia.
The post Barcelona drejt unifikimit të ekipit të parë me Barça Atlètic, fokus te talentet e La Masia appeared first on Euronews Albania.
