Goretzka i ofrohet Barcelonës, por Flick ka prioritete të tjera në merkato

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Me më shumë se një muaj të mbetur deri në mbylljen e merkatos së verës, disa futbollistë me emër vijojnë të jenë pa skuadër. Mes tyre është edhe mesfushori gjerman Leon Goretzka, i cili mbeti lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Bayern Munich më 30 qershor.

Sipas raportimeve të gazetarit Matteo Moretto për Radio Marca, 31-vjeçari i ka ofruar shërbimet e tij Barcelonës, ku mund të ribashkohej me Hansi Flick, trajnerin me të cilin përjetoi periudhën më të suksesshme te Bayern.

Megjithatë, drejtuesit katalanas nuk e konsiderojnë përforcimin e mesfushës si prioritet. Edhe pse Frenkie de Jong është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në gju, Barcelona vlerëson se ka alternativa të mjaftueshme në këtë repart. Madje, klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta për Marc Casadó, nëse ato afrohen me vlerësimin prej 40 milionë eurosh.

Goretzka ishte një nga lojtarët kyç të Flick gjatë periudhës së tij në stolin e Bayern Munich, nga fundi i vitit 2019 deri në qershor 2021. Nën drejtimin e teknikut gjerman, ai zhvilloi 64 ndeshje, duke realizuar 15 gola dhe 18 asiste, ndërsa kontribuoi në fitimin e gjashtë trofeve.

Edhe sezoni i fundit me Bayern rezultoi pozitiv për mesfushorin, i cili regjistroi 5 gola dhe 5 asiste në 48 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Pavarësisht kësaj, Barcelona mbetet e fokusuar te afrimi i një qendërsulmuesi, ndërsa në listën e prioriteteve janë edhe përforcimet në qendër të mbrojtjes, nëse kushtet financiare e bëjnë të mundur. Në këto rrethana, një transferim i Goretzkës në “Camp Nou” duket i vështirë për momentin.

The post Goretzka i ofrohet Barcelonës, por Flick ka prioritete të tjera në merkato appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: