Një deklaratë e deputetit serb të subjektit Fronti i Gjelbër Majtë, Dobrica Veselinović, gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë ka nxitur reagimin e kryetares së Parlamentit, Ana Brnabić, pasi ai iu referua Kosovës si “fqinj”.
Në fjalën e tij, Veselinović tha se Serbia po e shtyn zgjidhjen e çështjeve me Kosovën, gjë që sipas tij ndikon edhe në rrugën drejt integrimit evropian.
“Po e shtyjmë zgjidhjen e problemeve të vështira me fqinjët tanë, me Kosovën, dhe nuk do të hyjmë në Bashkimin Evropian. Kjo është ajo për të cilën qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.
Përdorimi i termit “fqinj” për Kosovën solli reagimin e menjëhershëm të kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabić, e cila tha se kjo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të institucionit.
“Dua të them që ju thatë diçka që është shumë serioze, por unë nuk ju ndërpreva për shkak të lirisë së shprehjes në Kuvendin e Serbisë. Si Kryetare e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, më duhet t’ju them se, kur thatë ‘me fqinjët tanë, me Kosovën’, për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë ata nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë dhe krahinë autonome. Nuk janë fqinjët tanë. Ky është qartazi qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë”, deklaroi Brnabić.
Deklaratat u bënë gjatë debatit parlamentar në Beograd, në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten një nga temat kryesore të politikës së brendshme dhe dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
The post Deputeti serb e quan Kosovën fqinje, reagon ashpër Ana Brnabić: Nuk është qëndrimi i Kuvendit appeared first on Euronews Albania.
