Në një kohë kur debati publik dominohet nga identitetet, algoritmet dhe polarizimi politik, pyetja mbi rolin e letërsisë në shoqëri bëhet më e rëndësishme se kurrë. A mund të mbetet letërsia një hapësirë për të menduar lirinë, barazinë dhe solidaritetin, apo është tërhequr drejt rrëfimeve gjithnjë e më individuale? Në këtë ese, filozofja dhe shkrimtarja Lea Ypi reflekton mbi fatin e letërsisë së angazhuar politikisht pas rënies së socializmit, duke argumentuar se kriza e saj është e lidhur ngushtë me krizën e universalizmit dhe të së majtës bashkëkohore. Përmes përvojës personale, analizës filozofike dhe historisë politike, ajo fton lexuesin të rishqyrtojë marrëdhënien mes artit, pushtetit dhe mundësisë për emancipim.
Letërsia universale gjendet e rrezikuar në një botë ku idetë moderne të lirisë dhe barazisë e kanë humbur fuqinë e tyre. Kriza e saj pasqyron krizën e së majtës.
Nga Lea Ypi, Tribune UK
Çfarë është letërsia e angazhuar politikisht? Siç vërente Jean-Paul Sartre më 1947, kjo pyetje mund të ndahet në tri të pjesë: Çfarë do të thotë të shkruash? Përse shkruajmë? Dhe për kë shkruajmë? Këtyre do t’u shtoja edhe një të katërt, ndoshta më domethënëse në shekullin XXI sesa në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore: Kush shkruan? Çfarë marrëdhënieje ekziston mes aftësisë së autorit për të vepruar dhe politikës së veprës?
Kjo çështje ka rëndësi sot jo vetëm sepse në epokën e të mësuarit përmes makinës përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Edhe po ta lëmë mënjanë ndikimin e teknologjive të reja, është e qartë se format përmes të cilave shprehet një autor kanë ndryshuar rrënjësisht që nga koha e Sartrit. Për të, autori i angazhuar ishte ai që bashkohej me kauzën e klasës punëtore. Detyra e tij ishte të zbulonte atë që Sartre e quante një “universal konkret”, të aftë për të kapërcyer ngërçin mes një publiku borgjez, politikisht armiqësor por lehtësisht të arritshëm, dhe një publiku proletar, ideologjikisht dashamirës por më të vështirë për t’u arritur.
Ne nuk jetojmë më në atë botë. Rënia e socializmit nuk ndryshoi vetëm hartën politike të Evropës Lindore dhe kushtet e luftës kundër kapitalizmit në Perëndim; ajo ndryshoi edhe vetë kuptimin e shkrimit “politik”. Tragjikisht, bashkë me të dukej sikur u zhduk edhe kërkesa universale për emancipim: ideja se klasa punëtore ishte trashëgimtarja e ndërgjegjësuar e projektit revolucionar të borgjezisë. Pretendimi themelor se ekzistonte një grup i caktuar shoqëror, shtypja e të cilit mund të kuptohej përmes ideve moderne të lirisë dhe barazisë — dhe jo vetëm përmes konceptit më të zakonshëm të “interesave të përbashkëta” — sot shumëkujt i tingëllon si një nostalgji pa shpresë. Pas kësaj shembjeje, shkrimtarit të angazhuar politikisht nuk i mbetet vetëm pyetja se cilës kauzë duhet t’i përkushtohet, por edhe se në emër të kujt flet vepra e tij.
Natyrisht, zgjerimi i këtij “kush”-i, për të përfshirë gratë, njerëzit e racializuar dhe komunitetet queer — forma jetese për të cilat zakonisht shkruhej nga jashtë dhe jo nga brenda — në njëfarë kuptimi e ka zgjeruar traditën e letërsisë së angazhuar politikisht. Megjithatë, shpërbërja e socializmit si trashëgimtar historik i universalizmit liberal ka bërë që përvoja bashkëkohore e shtypjes të shprehet kryesisht në terma të veçantë dhe individualë. Pjesa më e madhe e letërsisë së viteve të fundit dominohet nga “unë”-i: shkrimi trajtohet si një proces i përcaktimit të identitetit të veçantë të autorit, në vend që të shërbejë për ndërtimin e solidaritetit përtej një grupi të caktuar.
Për t’iu përgjigjur pyetjes “Kush shkruan?”, duhet të refuzojmë si sigurinë e rreme tek universalet e vjetra, sikur ato të njiheshin ende gjerësisht, ashtu edhe një partikularizëm të dorëzuar, të paaftë për të parë përtej individit. Synimi është të gjendet një rrugë tjetër.
Krizat e socializmit
Pak pas botimit të librit tim “Të Lirë” — një meditim mbi lirinë mbështetur në përvojën e fëmijërisë sime në Shqipërinë e fundit të periudhës komuniste — një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar më ftoi në zyrën e tij për të më uruar.
“Duhet të jesh krenare”, më tha, “por jo edhe aq krenare, sepse në të vërtetë nuk je ti autorja.”
E pyeta se çfarë donte të thoshte.
“Po kush është autori i vërtetë, atëherë?”
Kjo i dha mundësinë të jepte përgjigjen që e kishte përgatitur paraprakisht:
“Enver Hoxha!”
Menjëherë m’u kujtua anekdota e famshme për Guernica-n. Kur një oficer i Gestapos vizitoi apartamentin e Pikasos në Parisin e pushtuar, tregoi me dorë një riprodhim të pikturës mbi bombardimin nazist dhe e pyeti: “Ju e bëtë këtë?” Pikasoja thuhet se iu përgjigj: “Jo, ju e bëtë.”
Këtu ka diçka thelbësore për marrëdhënien mes historisë dhe artit, ose mes realitetit dhe krijimtarisë. Nëse realiteti shkruhet nga të pushtetshmit, siç dukej se sugjeronin si Pikasoja, ashtu edhe zyrtari shqiptar, artistët të paktën mund të mprehin lentet përmes të cilave e shohim atë: mund ta vënë nën shqyrtim dhe të na bëjnë të dallojmë alternativa të mundshme.
Ky është roli i veçantë i artit në ndarjen politike të punës: ta riinterpretojë botën me synimin e shprehur për ta ndryshuar atë. “Piktura”, thoshte Pikasoja, “nuk bëhet për të zbukuruar shtëpitë. Ajo është një armë sulmuese dhe mbrojtëse kundër armikut.”
Megjithatë, një nga trashëgimitë e socializmit shtetëror ishte barazimi i artit të angazhuar politikisht me besnikërinë ideologjike. Shkrimtarëve u kërkohej ta interpretonin botën jo për ta ndryshuar, por për ta ngurtësuar dhe riprodhuar atë, përmes lavdërimeve të programuara të “popullit”, “Partisë” ose “përparimit”.
Rezultati ishte një kulturë ndalimesh arbitrare, në të cilën njeriu rrezikonte vazhdimisht të shkelte ndonjë kriter të mjegullt të ortodoksisë. Në Shqipëri, romaneve u ndalohej botimi sepse personazhi kryesor ngjante tepër me nihilistët e Dostojevskit; pikturat ndaloheshin sepse një punëtor dukej tepër i zymtë ose sepse dielli nuk ndriçonte mjaftueshëm.
Dikush mund t’i hedhë poshtë këto si çështje pa lidhje me shqetësimet e së majtës së sotme. Por mungesa e një përballjeje serioze me këtë traditë është një nga arsyet e shumta që e bëjnë të vështirë krijimin e një vizioni kuptimplotë të socializmit për epokën pas Luftës së Ftohtë. Pa një vizion të tillë, mbetemi ose me një version të zbutur të socializmit, që imiton liberalizmin progresist, ose me një version nostalgjik, që përpiqet të zbardhë të shkuarën.
Rezultati është një krizë e dyfishtë e politikës socialiste. Në ish-vendet komuniste, shumica e njerëzve e lidhin termin me përvojën e jetuar të cinizmit dhe zhgënjimit. Në shtetet liberale, socializmi ekziston kryesisht si një ligjërim filozofik me pak lidhje me praktikën historike.
Në të dyja rastet, prirja për t’i rrafshuar ndërlikimet e periudhës komuniste — solidaritetin dhe shtypjen, modernizimin dhe mungesat, lirinë dhe censurën — ka penguar zhvillimin e një të majte të aftë për të shkuar përtej tyre. Ajo ka penguar edhe një lloj të caktuar letërsie universale dhe të angazhuar: një letërsi që nuk është naive ndaj së shkuarës, por as e vetëkënaqur për të ardhmen; që i mbetet besnike shtysës emancipuese, pa rënë në karikaturën e saj të vrazhdë.
Ndoshta çelësi për të mos lejuar që letërsia të kthehet — ose të mbetet — mjet propagande në shërbim të çfarëdo projekti politik, gjendet te marrëdhënia e saj me pushtetin: a e pranon historinë ashtu siç është shkruar nga fitimtarët, apo këmbëngul se historia mund të rishkruhet gjithmonë nga poshtë?
Besoj se, pas socializmit të shekullit XX, forma e veçantë e pushtetit me të cilën duhet të përballemi lidhet pikërisht me pyetjen se kush e interpreton trashëgiminë e tij dhe në ç’mënyrë.
Shkrimi hibrid
Si shkrimtare, përpjekjet e mia për të shmangur si qasjen nostalgjike ndaj socializmit shtetëror, ashtu edhe përvetësimin e tij reduktues nga liberalizmi, më kanë shtyrë të eksperimentoj me zhanrin. Kjo përfshin dy lëvizje të dallueshme.
E para është refuzimi i një leximi ngushtësisht individualist të përvojës personale dhe përdorimi i “unë”-it si një mënyrë për të përfshirë dilema më të gjera shoqërore. Historitë familjare, kujtimet e fëmijërisë dhe historitë e rritjes janë shpesh vendet ku kristalizohen tensionet më të thella dhe ku dalin në pah botëkuptime që përplasen mes tyre.
Lëvizja e dytë është shkrimi hibrid: mjegullimi i kufijve mes kujtimeve personale, vështrimit historik retrospektiv dhe reflektimit filozofik. Në veprën time, idetë abstrakte priren të shërbejnë njëkohësisht si kornizë e analizës dhe si skelet i strukturës narrative.
Por, edhe pse personazhet mishërojnë deri diku qëndrime të ndryshme ndaj moralit dhe dinjitetit, ata nuk janë thjesht shenja apo zëdhënës të këtyre pozicioneve. Përmes tyre, këto ide vihen në provë përballë rrethanave traumatike të historisë dhe hyjnë në dialog me lexuesin.
Ndarja mes së shkuarës së socializmit si një sistem i diskredituar dhe së ardhmes së tij si një ide e pacenuar riprodhohet shpesh edhe brenda letërsisë, kur njëri zhanër zgjidhet në dëm të tjetrit.
Kujtimet e pastra e paraqesin përvojën e jetuar sikur ajo të mund ta interpretonte vetveten, sikur vuajtjet e brezave të mëparshëm t’u kishin dhënë përgjigje problemeve të mëdha filozofike, në vend që t’i kishin hapur ato.
Teoria e pastër bën gabimin e kundërt. Ajo largohet në mënyrë abstrakte nga njerëzit që jetuan nën doktrinat që analizon dhe ua fsheh këndvështrimet.
Asnjëra prej tyre nuk mund të pasqyrojë me ndershmëri mënyrën se si e shkuara vazhdon të bartet në të tashmen. Një fëmijë i rritur në një vend socialist nuk përjetonte thjesht një varg faktesh dhe as vetëm një bashkësi idesh të larta. Bota e tij ishte një botë ku idetë ishin shndërruar në fakte dhe faktet ishin organizuar për të pasqyruar idetë, deri në atë pikë sa shpesh ishte e pamundur të dalloje njërën nga tjetra.
Duke këmbëngulur se konceptet e përgjithshme dhe jetët e veçanta nuk janë regjistra të ndarë, por dy anë të të njëjtit problem, shkrimi i angazhuar politikisht mund të përpiqet të formësojë një “kush” që as nuk e redukton subjektin letrar tek individi, as nuk e tret atë në një rrëfim të papërcaktuar dhe pa fytyrë.
Kjo është detyra që u mbetet trashëgimtarëve të Sartrit.
Plotësimi i boshllëqeve
Një shqetësim qendror këtu është e vërteta në histori, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë strukturor. Dokumentet historike janë të besueshme vetëm aq sa janë të besueshme mjetet përmes të cilave ato na janë transmetuar.
Përpjekja për të pasur qasje të drejtpërdrejtë dhe të pandërmjetësuar tek e shkuara, ose trajtimi i arkivit si një rezervuar njohurish të paanshme, rrezikon ta përforcojë ideologjinë mbizotëruese: rrëfimin e shkruar nga fitimtarët.
Megjithatë, duke lëvizur nga përvoja e jetuar drejt filozofisë dhe më pas sërish tek përvoja, letërsia mund të ofrojë atë që mund ta quanim “histori hamendësuese” — ose histori me një qëllim moral.
Kur historia shndërrohet në rrëfim përmes imagjinatës letrare, ajo shkon përtej paraqitjes së thjeshtë të fakteve dhe ofron një kundërperspektivë ndaj pushtetit. Duke pyetur se cilat zëra janë fshirë nga dokumentet dhe përse, letërsia arrin në një rindërtim filozofik të historisë, të vëmendshëm ndaj heshtjeve, mbulimeve dhe kundërthënieve të rrëfimit zyrtar: ndaj boshllëqeve që duhen plotësuar.
Ky lexim hamendësues i historisë e trajton atë gjithashtu si një terren konflikti moral. Në teorinë e Friedrich Schiller-it mbi “edukimin estetik”, arti bëhet një mënyrë për ta larguar njeriun nga një jetë thjesht shqisore dhe për ta orientuar drejt një morali më të kultivuar.
Kjo nuk nënkupton një moralizëm të mbyllur, të lidhur pas disa parimeve të ngurta, por një proces kolektiv të kërkimit të së vërtetës, i cili përfshin krijimin e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë: daljen jashtë këndvështrimit tonë për të hyrë në këndvështrimin e tyre.
Kur reflekton mbi të shkuarën, Schiller-i është më pak i interesuar të zbulojë një të vërtetë historike të humbur sesa të gjejë këndvështrime të ndryshme, që na ndihmojnë të dallojmë të vërtetat e kohës sonë. Një letërsi e udhëhequr nga kjo filozofi do t’i përdorte këto perspektiva për t’i ndihmuar si autorin, ashtu edhe lexuesin, të çliroheshin nga grabitjet dhe dhuna e së tashmes.
Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si e rrëfejmë socializmin shtetëror ka rëndësi për të majtën bashkëkohore. Asnjëri prej dy rrëfimeve mbizotëruese mbi këtë periudhë nuk është produktiv.
Nga njëra anë kemi rrëfimin liberal, sipas të cilit komunizmi ishte nga fillimi në fund një katastrofë totalitare dhe çdo aspiratë emancipuese e shekullit XX ishte vetëm shenja e hershme e katastrofës që do të pasonte.
Nga ana tjetër kemi pikëpamjen mbrojtëse, sipas së cilës socializmi shtetëror ishte një shtrembërim ose tradhti ndaj një modeli që mendohet se mbetet filozofikisht i paprekur.
Të dyja rrëfimet kanë të njëjtën strukturë: ato mbrojnë një pozicion filozofik, duke refuzuar të merren me jetët e njerëzve të cilëve u përkiste realisht ai shekull.
Mënyra hamendësuese e Schiller-it bën diçka tjetër. Ajo e rihap të shkuarën si një terren që vazhdon të jetë moralisht i diskutueshëm, në vend që ta mbyllë si asgjë më shumë sesa kasaphana e historisë.
Rindërtimi i së majtës bashkëkohore ka të bëjë, të paktën pjesërisht, me rikthimin e kësaj qasjeje: të mësojmë të flasim për lirinë, barazinë dhe dinjitetin, pa qenë të detyruar të mohojmë njerëzit që, në kushte të cilat nuk i kishin zgjedhur vetë, u përpoqën të jetonin sipas këtyre fjalëve.
Rikthimi i Iluminizmit
Letërsia e angazhuar politikisht është, pra, në thelb një kërkim për aftësinë e njeriut për të vepruar. Ajo është një përpjekje për ta rindërtuar “kush”-in e pyetjes “Kush shkruan?” pas kësaj shembjeje historike — jo vetëm të lirisë si ideal, por edhe të procesit material që supozohej se do ta realizonte atë: dialektikës mes punës dhe kapitalit, në të cilën fitorja e së parës mbi të dytin do të shënonte përmbushjen e një misioni universal.
Në letërsi, ashtu si në historinë hamendësuese, lexuesi nuk e takon një personazh thjesht si individ, por si një përfaqësim të njerëzimit në tërësi.
Ose, më saktë, lexuesi ndeshet me një ideal të marrëdhënieve njerëzore, ku shkrimi dhe leximi janë mjetet universale përmes të cilave mund të shprehim përvojat tona pashmangshmërisht të veçanta dhe historikisht të kushtëzuara.
Paradoksi është se, teksa përpiqet të përfshijë veçantinë e jetëve tona, letërsia na drejton njëkohësisht drejt asaj që ato mund të kenë të përbashkët. Në këtë mënyrë, ajo na ndihmon të përfytyrojmë rilindjen e një subjekti kolektiv.
Duke u mbështetur tek e shkuara për të sfiduar tmerret e së tashmes, letërsia bëhet një projekt bashkëpunues që kapërcen hapësirën dhe kohën. Angazhimi kritik i shkrimtarëve dhe lexuesve me botën u lejon atyre të dallojnë, qoftë edhe për një çast, një formë të mundshme të lirisë së ardhshme.
Kjo më rikthen te Pikasoja. Përgjigjja që ai i dha oficerit të Gestapos ishte një koment mbi kushtet shoqërore në të cilat lind arti, mbi aftësinë e tij për t’i pasqyruar këto kushte dhe për të ofruar një mënyrë të mundshme rezistence.
Është një lloj i çuditshëm arme, sepse fuqia e saj varet tërësisht nga bashkimi i artistit me publikun në kërkim të një gjuhe të përbashkët, të aftë për të shprehur forma të ndryshme të shtypjes.
Në vitin 2026, në një kohë kur librat ndalohen, gazetarët vriten, universitetet nënshtrohen dhe një pjesë e madhe e asaj që dikur quhej sfera publike është çmontuar ose privatizuar, të praktikosh art të angazhuar politikisht do të thotë t’i rikthehesh kësaj lufte të papërfunduar për universalen, e cila dikur njihej me emrin Iluminizëm.
Do të thotë të luftosh kundër dogmatizmit dhe autoritarizmit që shtrembërojnë marrëdhënien tonë me të shkuarën, si dhe të përdorësh mjetet e edukimit estetik për të mos përsëritur gabimet e saj.
The post Kuptimi i angazhimit politik appeared first on Euronews Albania.
