“Odisea” e Christopher Nolan rikthen interesin për Homerin dhe gjuhën greke

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Filmi “Odisea” i regjisorit Christopher Nolan po vazhdon suksesin e tij në kinematë botërore, duke arkëtuar mbi 650 milionë dollarë vetëm dy javë pas daljes në kinema. Prodhimi epik është shndërruar në një nga filmat më të suksesshëm të vitit dhe pritet të kalojë shifrën e 1 miliard dollarëve në arkat globale.

Përtej suksesit financiar, filmi ka nxitur një interes të madh për letërsinë klasike. Sipas raportimeve, shitjet e poemës “Odisea” të Homerit janë rritur ndjeshëm në disa vende, ndërsa gjithnjë e më shumë lexues po i rikthehen veprës së lashtë që frymëzoi filmin.

Interesi nuk është kufizuar vetëm te libri. Të dhënat e Google Trends, të cituara nga platforma e mësimit të gjuhëve Preply, tregojnë një rritje të konsiderueshme të kërkimeve për mësimin e gjuhës greke pas premierës së filmit.

Ekspertja e trendeve gjuhësore në Preply, Madeline Enos, theksoi se greqishtja e lashtë u jep lexuesve mundësinë të afrohen më shumë me tekstin origjinal të Homerit, ndërsa greqishtja moderne ndihmon në njohjen e kulturës bashkëkohore greke dhe komunikimin me folësit e saj.

Megjithatë, jo të gjithë kritikët janë entuziastë për adaptimin e Nolanit. Disa studiues të letërsisë klasike kanë shprehur rezerva për mënyrën se si regjisori ka trajtuar materialin burimor, duke kritikuar veçanërisht përdorimin e gjuhës moderne angleze dhe qasjen ndaj personazheve.

Ndër zërat kritikë është edhe përkthyesja dhe klasicistja Emily Wilson, e cila vlerësoi ndikimin kulturor të filmit, por argumentoi se adaptimit i mungojnë thellësia psikologjike dhe emocionale që karakterizojnë poemën e Homerit.

Pavarësisht kritikave, “Odisea” po konsiderohet një fenomen kulturor që ka rikthyer vëmendjen e publikut te letërsia antike, duke rritur interesin si për veprën e Homerit, ashtu edhe për trashëgiminë kulturore të Greqisë.

The post “Odisea” e Christopher Nolan rikthen interesin për Homerin dhe gjuhën greke appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: