Abdixhiku: Kam respekt edhe për ata që menduan ndryshe, tani të bashkojmë LDK-në dhe Kosovën

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një ditë pas rikonfirmimit si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur respekt edhe për delegatët që nuk e mbështetën në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, duke theksuar se demokracia nuk kërkon njëzëshmëri, por respekt për mendimin ndryshe.

“Nga sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, transmeton KosovaPress.

Ai tha se në LDK fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë dhe se e pranon me përulësi vendimin e delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të së enjtes.

“Mbrëmë ajo foli. Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së”, ka theksuar ai.

Sipas Abdixhikut, periudha e fundit ishte një sprovë për partinë, por ajo nuk duhet t’i ndryshojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar LDK.

Ai vlerësoi se partia ka nevojë për bashkim, ndërsa Kosova për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër.

“Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë… LDK mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë”, ka shtuar Abdixhiku.

Në fund të reagimit, ai theksoi se me Kuvendin e Jashtëzakonshëm është mbyllur një kapitull dhe se tash fillon puna e përbashkët “për siç tha, LDK-në e anëtarësisë” dhe “për Republikën e popullit tonë”.

The post Abdixhiku: Kam respekt edhe për ata që menduan ndryshe, tani të bashkojmë LDK-në dhe Kosovën appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: