Presidenti i Komisionit: Do kemi sukses në Lojërat Mesdhetare, këtu bëhet fjalë për emrin e Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidenti i Komisionit të Koordinimit për Lojërat Mesdhetare, Bello, ka shprehur besimin se Kosova është në rrugën e duhur për organizimin me sukses të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

Në një intervistë për SportCast në KosovaPress, Bello tha se vizitat e tij të shpeshta në Kosovë gjatë viteve të fundit i kanë forcuar bindjen se vendi ka potencialin për të realizuar një organizim të suksesshëm.

“Patjetër që personalisht nuk kam dyshim në rastin e suksesit. Nga sa kam parë këtu, e kam vizituar rregullisht Kosovën dhe nuk kam dyshim, sepse arma jonë e fortë është mikpritja”, u shpreh ai.

Sipas Bellos, organizimi i Lojërave Mesdhetare do të jetë një mundësi për ta prezantuar Kosovën para botës në mënyrën më të mirë, duke kombinuar traditën e mikpritjes me investimet në infrastrukturë moderne dhe kapacitete akomoduese.

Ai theksoi se suksesi i këtij organizimi kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve, pasi sipas tij nuk bëhet fjalë vetëm për imazhin e sportit kosovar, por për emrin dhe promovimin e vetë Kosovës.

Bello kujtoi edhe vizitën e tij të parë në Kosovë në vitin 1979, kur kishte ardhur me ekipin kombëtar të të rinjve në basketboll. Ai tha se atëherë ishte impresionuar kur kishte mësuar se Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte ndërtuar me kontributin e qytetarëve.

“Na vinte çudi se si qytetarët mund të paguanin nga rroga e tyre për të ndërtuar një pallat sporti. Sot, kur ka më shumë mundësi, duhet të mendohet për investime në këtë infrastrukturë madhore”, deklaroi Bello.

Ai vlerësoi se përvoja dhe angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe qytetarëve do të jenë faktorë kyç për suksesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.

The post Presidenti i Komisionit: Do kemi sukses në Lojërat Mesdhetare, këtu bëhet fjalë për emrin e Kosovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: