Gërmimet për varrezën masive në Zubin Potok, reagojnë Haxhiu dhe Kurti: Do të kërkojmë të vërtetën

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me gërmimet që po zhvillohen në fshatin Kalludër të Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive nga lufta e vitit 1998-1999.

Përmes një postimi në platformën sociale “X”, Kurti tha se autoritetet e Kosovës kanë nisur punimet në zonën ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica – mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut – të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999.

Sipas tij, edhe më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, familjet e 1 mijë e 565 personave të zhdukur me dhunë vijojnë të përballen me ankth, përfshirë mbi 100 fëmijë.

“Pengimi i vazhdueshëm nga Serbia i përpjekjeve për të zbardhur fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm nuk do ta ndalë Republikën e Kosovës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vijojnë përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur, identifikimin e varrezave të mundshme të fshehura dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se çështja e personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Ajo kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, duke theksuar se pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe pa pranimin e së vërtetës, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

The post Gërmimet për varrezën masive në Zubin Potok, reagojnë Haxhiu dhe Kurti: Do të kërkojmë të vërtetën appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: