Gjatë punimeve për gërmime në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, deri tani janë gjetur gjashtë trupa, raportojnë mediat në Kosovë, ndërsa hetimet për identifikimin e tyre vijojnë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka parë nga afër gërmimet në këtë zonë, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Isufaj konfirmoi se gërmimet kanë nisur dhe falënderoi të gjitha institucionet e përfshira në proces, veçanërisht Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore.
Ai bëri të ditur gjithashtu se mbetjet mortore të gjetura në vendngjarje janë me origjinë njerëzore, ndërsa kërkoi që të shmangen deklaratat publike që mund të dëmtojnë hetimet.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me deklarimet, pasi çdo informacion i parakohshëm mund të dëmtojë procesin hetimor”, u shpreh Isufaj.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se varreza masive në Kalludrën e Vogël mund të lidhet me zhdukjen e të ashtuquajturit “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën se ky është dyshimi fillestar i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të përcaktohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore dhe analizave mjeko-ligjore.
Në prill të vitit 1999 u zhdukën 23 civilë shqiptarë nga Mitrovica, mes tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.
Lutfije Ademi-Vokshi, motra e kirurgut të zhdukur Adem Ademi, ka deklaruar se beson se mbetjet e gjetura mund t’i përkasin grupit të vëllait të saj. Ajo tha se Adem Ademi ishte zhdukur në fshatin Drenë, rreth 3 kilometra larg në vijë ajrore nga Kalludra e Vogël.
“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë publikoi më 29 korrik një raport preliminar, sipas të cilit janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, ndërsa mbetje mortore të viktimave të luftës janë gjetur më herët edhe në disa varreza masive në Serbi.
The post Gjenden gjashtë trupa në varrezën e dyshuar masive në Zubin Potok, Prokuroria kërkon kujdes me deklaratat appeared first on Euronews Albania.
