Karen Pierce: Publikimi i provave për krimet e luftës në Kosovë, hap i rëndësishëm drejt së vërtetës dhe përgjegjësisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pas publikimit të provave nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë, e Dërguara Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, e cilësoi këtë zhvillim një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në vendosjen e përgjegjësisë për viktimat e konfliktit.

Në reagimin e saj, Pierce theksoi se gjetjet ndihmojnë në krijimin e një baze provash të mbështetura në fakte për më shumë se 13 mijë persona që humbën jetën ose rezultojnë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, si edhe për mijëra të tjerë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe përjetuan humbje, plagë apo trauma.

Ajo e përshkroi konfliktin në Kosovë si një nga periudhat më të errëta të historisë së kohëve të fundit në Evropë, duke nënvizuar se mësimet e nxjerra prej tij janë thelbësore për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Sipas Pierce, paqja afatgjatë kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me të kaluarën në mënyrë të ndershme, duke punuar për zbardhjen e së vërtetës, pajtimin dhe forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.

Në përfundim të deklaratës, e Dërguara Speciale e Mbretërisë së Bashkuar ritheksoi angazhimin e Londrës për të mbështetur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se kjo mbështetje mbetet e palëkundur edhe dekada pas përfundimit të konfliktit.

The post Karen Pierce: Publikimi i provave për krimet e luftës në Kosovë, hap i rëndësishëm drejt së vërtetës dhe përgjegjësisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: