Diskutimet mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e dy zyrave konsullore, një zyrë shqiptare në Bujanoc të Luginës së Preshevës dhe një zyrë serbe në Shkodër, kanë shkaktuar reagime të forta në Tiranë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga figura të mazhorancës dhe ish-zyrtarë të lartë të diplomacisë shqiptare.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi për mediat serbe se është arritur një marrëveshje në parim pas bisedimeve me homologun shqiptar, Ferit Hoxha. Nga ana tjetër, ministri Hoxha sqaroi se procesi është ende në fazën e shprehjes së kërkesave nga të dyja palët dhe se çdo vendim bazohet mbi parimin e reciprocitetit.
“Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet”, tha Hoxha.
Sipas ministrit shqiptar, qëllimi kryesor i Shqipërisë është krijimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ku përfshihen komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, zona të banuara historikisht nga shqiptarë.
Hoxha reagoi ndaj kritikave duke thënë se debati është zhvendosur te interesat e supozuara të Serbisë, duke lënë në plan të dytë atë që ai e cilëson interes të drejtpërdrejtë të Shqipërisë.
“Është e çuditshme dhe e vështirë për t’u kuptuar që shumë prej reagimeve anashkalojnë thelbin: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin që sjell krijimi i një pranie konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës”, u shpreh ai.
Por ideja e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër është kundërshtuar nga disa figura politike.
Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, i cili ka drejtuar qeverinë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, shprehu habi për këtë zhvillim duke argumentuar se këto dy raste nuk mund të krahasohen.
“Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, shkroi Majko në rrjetet sociale.
Sipas tij, hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe një konsullate serbe në Shkodër nuk kanë të njëjtën peshë.
“Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë. Konsullata në Luginën e Preshevës ‘shmang’ Kosovën. Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes”, argumentoi Majko.
Ai shtoi se për Shqipërinë një konsullatë mund të shihet si shprehje e interesit standard diplomatik, ndërsa sipas tij, për Serbinë, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka debate të hapura edhe për identitetin e Malit të Zi, çështja merr një tjetër dimension.
Kritika ka pasur edhe nga ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili reagoi në rrjetet sociale duke shprehur shpresën që lajmi të mos jetë i vërtetë.
“Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenjë barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, shkroi Bushati.
Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila përfaqëson Shkodrën në Kuvend, ngriti pikëpyetje mbi arsyet e hapjes së një zyre konsullore serbe në këtë qytet, duke iu referuar faktit se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në qarkun e Shkodrës janë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë.
Sipas saj, Serbia duhet të zgjidhë fillimisht çështjet e saj të hapura me Kosovën, veçanërisht pas deklaratave të fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila shkaktoi reagime pasi tha se, nëse do të kishte qenë në drejtim të shtetit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Nga opozita, deputeti i Partisë Demokratike në Shkodër, Bardh Spahia, e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër afrim të qeverisë shqiptare me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Pse në kryeqendrën e veriut, në djepin e patriotizmit, kulturës dhe rezistencës historike shqiptare përballë ekspansionizmit nacionalist sllav?”, pyeti Spahia, duke kritikuar momentin dhe vendndodhjen e zgjedhur për konsullatën serbe.
Debati për hapjen e zyrave konsullore tashmë është kthyer në një çështje të nxehtë politike në Shqipëri, ku përplasja kryesore lidhet me interpretimin e interesave diplomatike dhe simbolikës politike të këtij vendimi.
The post Nga Majko te Bushati e Spahia, të gjitha reagimet në Shqipëri për konsullatën serbe në Shkodër appeared first on Euronews Albania.
